KRYEFAQJA » LAJME » Protesta të vakëta të punonjësve shqiptarë më 1 maj

Protesta të vakëta të punonjësve shqiptarë më 1 maj

Edhe këtë 1 maj, klasa e punëtore shqiptare dëshmoi se mbetet ende larg kulturës së organizmit dhe protestuarit për të drejtat e saj. Në qendër të Tiranës, në një organizim tepër modest për nga pjesëmarrja, disa sindikalistë protestuan për probleme të mprehta të statusit të punëtorit në Shqipëri.
“Ne nuk kemi minimumin jetik. Punonjësit nuk paguhen sipas ligjit. Ka pasiguri në vendin e punës. Në çdo moment çdo punonjës është i rrezikuar nga kapriçot e punëdhënësit” tha një prej folësve në miting.
Shumë prej punëtorëve shqiptarë, 1 maji i sivjetshëm, i shënuar në kalendar si ditë zyrtare pushimi, i gjeti ata në punë dhe kjo ishte një tjetër arsye e protestës. “Sot më datë 1 maj u është kërkuar grave dhe vajzave të dalin në punë në fabrikat e këpucëve dhe tekstileve. Ato kanë në fakt të drejtën e tyre të protestës më datë 1 maj” tha një folëse në miting. “Puna në ditët e pushimit është një fakt tashmë në këtë sektor dhe kjo punë nuk ka kurfarë ndryshimi në pagë sipas kodit të punës” shtoi ajo.
Fokusi i protestës ishte paga minimale për sektorin privat, ende e papërcaktuar nga qeveria, por e papranuar në masën që propozohet prej saj. Për këtë Kol Nikolla kreu i sindikatave shqiptare , paralajmëroi nisjen e protestave prej javës që vjen.”Nuk do të heqim dorë pa shkuar paga minimale 28 mijë lekë, sidomos në sistemin arsimor, shëndetësor që janë publike, madje do të kemi dhe greva një orëshe, apo një ditore për këtë problem” tha zoti Nikolla.
Respektimi i të drejtave të punetorëve, duke filluar nga paga, veçanërisht në aktivitetet e fasonerisë e industrinë nxjerrëse mbetet një prej problematikave më të mprehta të tregut të punës në Shqipëri.

Sicred