KRYEFAQJA » LAJME » Protesta kundër dygjuhësisë në Shkup
Protesta kundër dygjuhësisë në Shkup

Protesta kundër dygjuhësisë në Shkup

Për të dytën natë radhazi, mijëra vetë kanë protestuar në Shkup, kundër marrëveshjes politike mes LSDM dhe partive shqiptare, e cila siguron përdorim më të gjerë zyrtar të gjuhës shqipe. Platforma e gjuhës është parakushti i paktit mes Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë dhe Bashkimit Demokratik për Integrim, për krijimin e një koalicioni qeverisës. Por VMRO e ish kryeministrit Gruevski e kanë kundërshtuar ashpër. Përkrahësit e tyre këndonin këngë nacionaliste e mbanin në duar parulla, ku shkruhej “Jo dygjuhësisë”.
Kritikët e marrëveshjes pretendojnë se koalicioni me partitë shqiptare dhe zbatimi i një platforme të tillë do të rezultonte në federalizimin e Maqedonisë, e do të kërcënonte ekzistencën e shtetit. Në tubim nuk munguan as sloganet e rrezikshme, mes të cilëve edhe kërcënimi me vdekje për kreun e LSDM-së, Zoran Zaev.
Njohësit e çështjeve politike mendojnë se protestat ndaj ngritjes së shqipes në statusin e gjuhës zyrtare mund të krijojnë presion mbi presidentin Gjorgje Ivanov që të mos ia japë Zaevit mandatin qeverisës, edhe pse i ka dorëzuar tashmë firmat e 67 deputetëve si garanci për sigurimin e shumicës parlamentare. Nisma qytetare në përkrahje të VMRO-DPMNE-së ka paralajmëruar vazhdimin e protestave.
Për formimin sa më parë të qeverisë së re të Maqedonisë dhe konsolidimin e institucioneve të shtetit, të cilat do të angazhohen në realizimin e reformave në sistemin e drejtësisë në formë të drejtpërdrejtë kanë bërë thirrje, SHBA, NATO e BE-ja.

Sicred