KRYEFAQJA » LAJME » Protesta e 18 shkurti, opozita bën përgatitjet e fundit
Protesta e 18 shkurti, opozita bën përgatitjet e fundit

Protesta e 18 shkurti, opozita bën përgatitjet e fundit

24 orë para protestës së opozitës së djathtë në Tiranë, krerët e saj kanë zhvilluar një takim. Në takim janë parë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ai i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, kryetari i PDK-së, Nard Ndoka dhe partive të tjera të krahut të djathtë. Kryetari i opozitës Lulzim Basha, e konsideron protestën si bashkimin më të madh të qytetarëve kundër padrejtësisë, keqqeverisjes, e varfërisë. “Nga ky bashkim i madh kanë frikë vetëm ata që duan ti mbajnë shqiptarët të nënshtruar. Ndaj kanë filluar të shpifin e të gënjejne për protestën. Forca jonë nuk është dhuna, por bashkimi, kurajo dhe ëndrrat që kemi për të ardhmen” shkruan zoti Basha në mesazhin e tij publik. Zyrtarë të opozitës kanë deklaruar vazhdimisht kohët e fundit se protesta do të synojë kundërshtimin e korrupsionit dhe kriminalitetit në vend, realizimin e një reforme zgjedhore, e cila do të garantojë një proces zgjedhor të ndershëm dhe do të kthejë besimin e qytetarëve të vota e lirë, përkundër trafikimit të votës, bllokimit dhe kapjes së zgjedhjeve nga bandat. Opozita synon të detyrojë me anë të protestave kryeministrin Rama të japi dorëheqjen dhe krijimin e një qeverie teknike që do të çojë vendin në zgjedhjet e 18 qershorit.