KRYEFAQJA » LAJME » PROMOVOHET RRETHI I 74-T ÇIKLISTIK I SHQIPËRISË

PROMOVOHET RRETHI I 74-T ÇIKLISTIK I SHQIPËRISË

Rrethi i 74-t Çiklistik i Shqipërisë ka nisur të enjten zyrtarisht rrugëtimin e tij, me një tryezë të rrumbullakët prezantimi me të gjithë aktorët pjesëmarrës në organizimin e tij. Sipas presidentit të Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, ky është rrethi i parë që zhvillohet në kuadër të kalendarit ndërkombëtar të Unionit Ndërkombëtar të Çiklizmit, UCI. “Ky është Rrethi i parë Çiklistik i Shqipërisë që zhvillohet sipas rregullave të një veprimtarie ndërkombëtare, e mbikëqyrur nga zyrtarë dhe gjyqtarë ndërkombëtarë, dhe me parametrat e një veprimtarie të njohur ndërkombëtarisht”, – theksoi kreu i dyrrotakëve shqiptarë.
Kjo veprimtari do të zhvillohet me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, pushteti vendor, duke nisur nga Bashkia e Tiranës e duke vijuar me të gjitha Bashkitë nëpër territorin e të cilave do të kalojë ky rreth. Sipas kryekomisarit të Unionit Ndërkombëtar të Çiklizmit (UCI), Vladimiros Petsos, ky rreth është një shans historik për Shqipërinë. “Në fakt, kjo veprimtari është një shans i mirë për mua për t’i ritakuar me miq të vjetër, pasi kam ardhur këtu edhe për Kampionatin Ballkanik të vitit të shkuar në fillim të korrikut. Ajo që pashë gjatë atij kampionati më pëlqeu shumë dhe kjo më bën optimist që do të shikoj një veprimtari edhe më të mirë në Rrethin e 74-t Çiklistik” tha zoti Petssos.
Për zyrtarin e çiklizmit ndërkombëtar, ky rreth paraqet një numër sfidash. “Çdo garë çiklistike është sfiduese, si për sportistët, ashtu edhe për organizatorët. Sa u përket këtyre të fundit, unë e di që kjo është një herë e parë për Federatën tuaj, por ne si federatë botërore jemi këtu për të ndihmuar dhe shpreh besimin tim të patundur se ky Rreth Çiklistik do të jetë një sukses dhe do të hapë një dritare të vyer për Shqipërinë në sportin botëror” tha ai për RTSH.
Por, a do të kemi mundësi të shohim një ditë nëpër rrugët e Shqipërisë çiklistë ndërkombëtarë me emër? “Pse jo? Natyrisht, nuk duhet harruar që sipërmarrje të tilla, për të arritur në nivelet që ju thoni, kërkojnë shpenzime të mëdha. Por, në rastin e Shqipërisë, kjo do të bëhet hap pas hapi dhe nuk do të jetë e largët dita kur, nëse Rrethi Çiklistik i Shqipërisë do të jetë, siç edhe unë besoj, një sukses, nuk do të jetë e largët dita kur ju do t’i keni këta çiklistë të njohur nëpër rrugët e Shqipërisë” shpreson kryekomisari i Unionit Ndërkombëtar të Çiklizmit (UCI), Vladimiros Petsos.
Edicioni i 74-t i Rrethit të Shqipërisë, që është gara e 3-të më e vjetër çiklistike në Evropë, pasi Turit të Francës dhe Xhiros së Italisë, do të zhvillohet nga data 20, deri më 24 maj 2017.

Sicred