KRYEFAQJA » LAJME » Prokurorja Anila Leka përballë KPK-së

Prokurorja Anila Leka përballë KPK-së

Prokurorja në Prokurorinë e Përgjithshme, njëherësh kandidate për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Anila Leka, është vënë përballë trupës gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Vettingu për prokuroren Leka do të kryhet nga trupa e përbërë prej Firdes Shuli, Roland Ilia dhe Suela Zhegu, të cilët do të vlerësojnë kriterin e pasurisë, të figurës dhe atë profesional. Prokurorja Anila Leka ka vendosur të mbrohet vetë para trupës gjykuese dhe pa avokat. Relatorja Zhegu ka informuar se sipas ILDKPI-së, deklarimet e saj të pasurisë janë të sakta dhe të justifikuara. Sakaq është vlerësuar edhe si e aftë profesionalisht. Prokurorja Leka ka deklaruar 2 apartamente, një në Tiranë dhe një në Golem, llogari bankare, bono thesari, gjendje cash 11 mijë e 500 dollarë ndërsa si të ardhura ka deklaruar pagën vjetore. I ati i prokurores ka 7500 dollarë, ndërsa e ëma 9000 dollarë gjendje cash, nga dëmshpërblimi si ish të dënuar politikë. Vendimi për të do të jepet në ditët në vijim por sakaq të martën në sitën e vettingut do të kalojnë gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj dhe prokurori në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, Dritan Prenci.

Sicred