KRYEFAQJA » LAJME » Prokuroria: Vazhdojnë hetimet për ngjarjen e Sukthit

Prokuroria: Vazhdojnë hetimet për ngjarjen e Sukthit

Prokuroria e Durrësit po vijon hetimet për të zbardhur vrasjen e dyfishtë të 25 prillit në segmentin Sukth Tiranë. Këtë të premte është marrë në pyetje shefi i sektorit të hetimit të Krimeve të Rënda Arbër Zemani në policinë e qytetit begdetar. Grupi hetimor dyshon se Ervin Dalipaj dhe shoku i tij Juxhin Dauti kanë pasur lidhje të forta në strukturat hetimore të policisë së Durrësit. Duket se falë këtyre njohjeve, Dalipaj lëvizte lirshëm me pistoletë në brez dhe me makina luksoze, megjithëse ishte në kërkim policor prej 16 muajsh, për akuzën e rrëmbimit, torturimit dhe vrasjen e shtetasit Gazmend Çollaku. Të njëjtën gjë bënte dhe shoku i tij Juxhin Dauti, megjithëse ishte në hasmëri për vrasjen e ish-kampionit kombëtar të bilardos Fation Bani në Vlorë. Të dhënat tregojnë se Dalipaj dhe Juxhin Dauti, kanë pasur njohje me shefin e sektorit të hetimit të Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar Arbër Zemani në policinë e Durrësit. Ky i fundit është personi përgjegjës për hetimin e vrasjeve në Durrës dhe që administron informacionin për veprimtarinë e Krimit të Organizuar në këtë qark. Burime pranë grupit hetimor thanë se Zemani, është kushëri i parë i viktimës Juxhin Dautit. 27-vjeçari nga Vlora ishte së bashku me Dalipaj në makinën tip “Audi 8S”, ku mbetën të vrarë të dy me 32 plumba. Për të hedhur dritë mbi auutorët e ngjarjes mafioze FNSH dhe RENEA kanë ushtruar kontrolle dhe kanë shoqëruar disa persona në Sukth dhe Shijak. Mësohet se policia ka shoqëruar disa persona të cilësuar si “të fortët” e Sukthit e Shijakut. Sipas burimeve të shoqëruarit kanë mohuar përfshirjen në krimin e dyfishtë, ndërsa policia vijon aksionin për kapjen e autorëve. Gjithashtu sipas burimeve bëhet e ditur se janë shoqëruar edhe miqtë e Juxhin Dautin që e shoqëronin si eskortë. Gjatë marrjes në pyetje ata kanë mohuar të kenë informacione lidhur me atentatin.

Sicred