KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Projekti SARED, 6.5 milionë euro në mbështetje të fermave dhe agrobizneseve shqiptare

Projekti SARED, 6.5 milionë euro në mbështetje të fermave dhe agrobizneseve shqiptare

Fermerët, agropërpunuesit dhe agrobizneset që prodhojnë, grumbullojnë, apo përpunojnë produkte që lidhen me frutat dhe arroret, si dhe bimët mjekësore dhe ato medicinale, kanë mundësi që të përfitojnë grante për investime, duke aplikuar deri në fund të muajit maj në thirrjen e katërt të projektit të financuar nga qeveria gjermane dhe ajo daneze për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimit rural në zonat e pafavorizuara të Shqipërisë, apo siç quhet ndryshe Projekti SARED.

Deri tani në këtë thirrje të katërt të projektit, kanë aplikuar 70 fermerë dhe agropërpunues, por drejtuesi i këtij projekti Ole Henriksen, shpjegon se përvoja e tre fazave të tjera ka treguar se numri i aplikimeve zakonisht është i madh në dy javët e fundit të mbylljes së thirrjes, që konkretisht është 31 Maji. “Sa i takon investimeve në ferma, ne mbulojmë 65 përqind të kostos së investimit, e cila varion nga 2 mijë deri në 25 mijë euro. Përsa i përket agrobizneseve, për investimet nga 5 mijë deri ne 70 mijë euro, ne sigurojmë 50 përqind të kostos si grant. Dhe nëse biznesi drejtohet nga një grua ose i ri, ne japim 10 përqind më shumë, pra ata marrin një grant të barazvlefshëm me 60 përqind të kostos së investimit” spjegon Ole Henriksen.

Kur ky projekt filloi të zbatohej në Qershor të vitit 2014, qeveria gjermane dhe ajo daneze vunë 6.5 milionë euro në dispozicion të tij. Në tre thirrjet e para, u paraqiten rreth 330 aplikime dhe nga to u përzgjodhën 200 përfitues, granti për të cilët kap shifrën totale të rreth 3 milionë eurove. Ndërkohë, 100 prej tyre i kanë përmbushur investimet, duke përfituar më pas shumat e caktuara nga projekti. “Ne ndjekim parimet e Bashkimit Europian dhe fermerët pasi nënshkruajnë kontrata me ne duhet të përmbushin investimet në mënyrë që më pas të përfitojnë financimin. Rreth 70 përqind e fermerëve dhe bizneseve që kemi mbështetur deri tani, i kanë financuar fillimisht investimet përmes huave të marra nga bankat, dhe pas përmbushjes së investimit, kanë përfituar paratë nga ne” spjegon Ole Henriksen.

Zonat në të cilat zbatohet projekti janë Shkodra, Dibra, Korça, Kukësi, Berati dhe Elbasani, për shkak se aksesi i tyre në treg është i vështirë, dhe nuk favorizohet as nga infrastruktura. Së fundmi, përveç mbështetjes së fermerëve dhe agrobizneseve, është parashikuar edhe mbeshtetjta e turizmit rural, në tre destinacione që janë Kukësi, Peshkopia dhe Skrapari.

Sicred