KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Projekt-ligji polak për Holokaustin shkakton reagime të forta

Projekt-ligji polak për Holokaustin shkakton reagime të forta

Franca i është bashkuar SHBA-ve dhe Izraelit në reagimin kundër ligjit të ri polak për Holokaustin. – Nuk është asnjëherë ide e mirë të rishkruash historinë, – u shpreh sot ministri i jashtëm francez Zhon Iv Lë Drijon. Presidenti polak Adrej Duda nënshkroi dje ligjin e shumëkundërshtuar, i cili e quan të paligjshme përmendjen e Polonisë si bashkëpunëtore të krimeve naziste gjatë pushtimit gjerman. – Ligji mbron interesat polake, dinjitetin dhe të vërtetën tonë historike, – u shpreh Duda gjatë një fjalimi televiziv. SHBA-të kanë shprehur zhgëjimin e tyre për këtë ligj. Izraeli është i shqetësuar sepse ligji mund të shtrëmbërojë të vërtetën e rolit të disa polakëve në krimet naziste kundër hebrenjve të Polonisë. Është ngritur gjithashtu edhe shqetësimi se disa të mbijetuar të holokasutit mund të përballen me akuza penale për dhënien e dëshmive që inkriminojnë polakët. Sipas legjislacionit, i cili u miratua javën e shkuar nga senati, çdokush që akuzon, publikisht kombin polak ose shtetin polak për përgjegjësi ose bashkëpunim në krimet naziste të kryera gjatë Rajhut të Tretë Gjerman do të jetë subjekt i dënimit që varion nga gjoba deri në tre vjet burg. Por ligji gjithashtu qartëson se një subjekt nuk konsideroeht se kryen krim nëse vepron në kundërshtim me ligjin për arsye të aktiviteteve artistike apo shkencore.  Polonia u sulmua dhe pushtua nga Gjermania Naziste në vitin 1939. Miliona qytetarë të saj u vranë, përfshi edhe tre milionë hebrenj polakë gjatë Holokaustit. Numri total i hebrenjve të vrarë gjatë holokaustit ishte gjashtë milionë. Shumë polakë janë nderuar nga Izraeli pasi kanë shpëtuar jetët e hebrenjve gjatë luftës. Megjithatë, historianët thonë se të tjerë ishin bashkëpunëtorë të nazistëve. Disa prej tyre jepnin informata për hebrenjtë e fshehur, dhe disa morën pjesë në masakrat naziste, përfshi edhe atë të Jedvabnes ku qindra hebrenj u vranë nga fqinjët e tyre.

Sicred