KRYEFAQJA » LAJME » Programi “Askush të mos mbetet pas”, rreth 500 fëmijë me aftësi ndryshe në Pogradec

Programi “Askush të mos mbetet pas”, rreth 500 fëmijë me aftësi ndryshe në Pogradec

Programi “Askush të mos mbetet pas” në një vështrim të përgjithshëm është një shpresë e re për shtresën e personave me aftësi ndryshe në Shqipëri. Vetëm në rajonin e Pogradecit janë rreth 500 të tillë, ku vetëm 10 % e tyre marin një shërbim të specializuar dhe trajtimin e duhur.

Shërbimi jepet në një prej qendrave multifunksionale e cila për vite me radhë e amortizuar, nuk kryente asnjë shërbim social. Sot falë investimit të qeverisë Zvicerane dhe asistencën e PNUD-it me seli në Shqipëri, qendra jep një sërë shërbimesh, pasi stafi dhe gjithë infrastruktura e saj përmbush çdo standart të mundshëm.

Një prej këtyre shërbimeve janë edhe ushtrimet e fizioterapisë, të cilat për fëmijët me aftësi ndryshe janë jetike.

Bashkia e Pogradecit thotë se e ka të pamundur pa ndihmën e shtetit që këtë qendër komunitare multifunksionale ta aktivizojë edhe në zonat e thella. Por ndarja e re territoriale e detyron me ligj çdo bashki që të çojë shërbimet komunitetit të saj. Për kryetarin e bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri, nuk ka ndonjë plan afatshkurtër dhe emergjent që kjo situatë të marrë zgjidhje pasi ky rajon në pjesë të madhe të territorit është malor dhe nuk njihen rrugët përveçse transportit primitiv me kafshë.

Në këtë qendër mosha për fëmijët frekuentues varion nga 4 deri në 18 vjeç. 6 nga 10 të rinjtë që frekuentojnë qendrën janë femra. 33 fëmijë dhe të rinj vijnë nga zonat urbane, ndërsa 13 të tjerë nga zonat rurale. 12 fëmijë shkojnë edhe në kopshte e shkolla. 10 profesionistët e qendrës mbështesin fëmijët dhe të rinjtë në disa drejtime.

Edhe pse numri i madh i kësaj shtrese fëmijësh duhet të jetë një kambanë alarmi që bie për autoritetet shtetërore, shembulli i qendrës komunitare multifunksionale të Pogradecit është një nga rastet që i jep shpresë kësaj drame.

Sicred