KRYEFAQJA » LAJME » Prishtinë: Rama pritet nga kreu i komunës Ahmeti
Prishtinë: Rama pritet nga kreu i komunës Ahmeti

Prishtinë: Rama pritet nga kreu i komunës Ahmeti

Kryeministri Edi Rama zhvilloi në Kosovë një takim me Kryetarin e Komunës së Prishtinës, zotin Shpend Ahmeti, njëkohësisht përfaqësues i Lëvizjes “Vetëvendosja”.
Kryetari i Komunës së Prishtinës Ahmeti shprehu kënaqësinë për vizitën e Kryeministrit Rama, edhe për faktin e shkëmbimit të eksperiencës së gjatë që Kryeministri Rama ofron si ish Kryetar i Bashkisë së Tiranës. “Sot për mua ishte kënaqësi dhe gjithmonë është kënaqësi kur e kemi Kryeministrin Rama në Prishtinë, për të diskutuar mbi të gjitha çështjet politike që janë edhe në Prishtinë dhe në të gjithë vendin. E para, sepse gjithnjë mësoj gjëra të reja prej Kryeministrit Rama për nivelin komunal dhe udhëheqjen e bashkisë dhe komunës, duke marrë parasysh përvojën e gjatë. Por në të njëjtën kohë, në këtë situatë në të cilën jemi sot, shfrytëzuam rastin të flasim edhe për gjendjen politike aktuale që kemi në veri të vendit, diskutimet, dialogu që po zhvillohet dhe incidentet e fundit. Me këtë rast e informuam zotin Rama, si dhe shkëmbyem mendimet dhe qëndrimet. Për mua së pari, edhe si kryetar i Prishtinës, por edhe si përfaqësues i lëvizjes “Vetëvendosja”, po ashtu dëgjuam qëndrimet zyrtare të Kryeministrit dhe të qeverisë në tërësi,” – u shpreh Ahmeti.

Kryeministri Rama e vlerësoi vizitën në komunën e Prishtinës si një takim me miq të mirë dhe protagonistë të jetës politike të Kosovës, me të cilët ndan interesimin për të shkëmbyer pikëpamje dhe opinione mbi zhvillimet politike. Kryeministri Rama vlerësoi punën e Kryetarit Ahmeti në drejtimin e Komunës së Prishtinës. “Faleminderit për mikpritjen! Është e pashmangshme vizita në Bashkinë e Prishtinës, sa herë që vij këtu, me kënaqësi për të takuar të gjithë miqtë dhe protagonistët e jetës politike në Kosovë. Patjetër është gjithmonë kënaqësi dhe interesim i veçantë të dëgjoj pikëpamjet e Shpendit, jo thjeshtë si kryetar bashkie, por si një nga protagonistët e jetës politike të Kosovës. Nuk është sekret që unë kam gjithmonë interes të di se çfarë mendon “Vetëvendosja” për çdo gjë që ndodh. Nga ana tjetër folëm edhe për ecurinë e punëve në Prishtinë dhe unë e ndjek me shumë simpati përpjekjen e kryetarit, sepse, duke pas kaluar nga eksperienca e kryetarit të bashkisë, e di mirë që është puna më e vështirë në botë. Shpresoj shumë që sëbashku të bëjmë punë të mira, edhe duke shfrytëzuar lidhjen e re dhe besoj shumë të rëndësishme që është krijuar mes Bashkisë së Tiranës dhe Bashkisë së Prishtinës dhe dy kryetarëve të bashkive, si dhe në kuadrin e marrëveshjes që të dy kanë bërë me disa kryetarë të tjerë komunash, në territoret ku jetojnë shqiptarët.”

Sicred