KRYEFAQJA » LAJME » Prishtinë, kryeministri i Kosovës Haradinaj pret presidentin e Shqipërisë Meta
Prishtinë, kryeministri i Kosovës Haradinaj pret presidentin e Shqipërisë Meta

Prishtinë, kryeministri i Kosovës Haradinaj pret presidentin e Shqipërisë Meta

Presidenti Ilir Meta është pritur në një takim të veçantë nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Bashkë me të në takim ishin edhe katër zëvendëskryemininstra, Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj, Dalibor Jevtiq dhe Dardan Gashi.

Zoti Meta dhe zoti Haradinaj i konsideruan marrëdhëniet ndërshtetërore si të shkëlqyera. Presidenti Meta theksoi se ka ardhur koha që këto marrëdhënie të pasurohen më shumë dhe çështjet e prekshme e konkrete të gjejnë zgjidhje për qytetarët e të dy shteteve. Sipas tij ato duhet të gjejnë zgjidhje veçanërisht nëpërmjet agjendës së përbashkët të dy qeverive, duke u fokusuar tek infrastruktura, arsimi, lëvizja e lirë dhe heqja e çdo barriere burokratike ndërmjet dy vendeve. Presidenti Meta theksoi rëndësinë e trajtimit të të gjitha çështjeve dypalëshe, të cilat mund të marrin udhë përmes vendimmarrjes politike gjatë takimit të ardhshëm të dy qeverive. Ai u shpreh plotësisht në mbështetje të këtij procesi me rëndësi jetike si për qytetarët në Shqipëri dhe Kosovë, ashtu edhe në dobi të marrëdhënieve strategjike e vëllazërore ndërmjet nesh.

Gjithashtu, Presidenti Meta e siguroi edhe Kryeministrin Haradinaj për mbështetjen e fortë e të gjithanshmme të Shqipërisë për Kosovën në proceset integruese evropiane dhe euroatlantike, si dhe anëtarësimin e plotë në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare. Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta iu referua nevojës së madhe për liberalizimin sa më shpejt të regjimit të vizava nga ana e BE-së për qytetarët e Kosovës. Duke iu referuar kushtëzimit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si një sfidë tashmë të pashmangshme, zoti Meta shprehu besimin se kjo çështje do të gjente një zgjidhje të shpejtë në frymën e mirëkuptimit të ndërsjellë me këtë vend fqinj.

Ndërsa, duke vlerësuar nevojën e vazhdimin dhe përmbylljen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Presidenti Meta u shpreh se vijimi dhe konkretizimi i këtij dialogu nuk është i rëndësishëm vetëm për këto dy vende, por edhe për të gjithë rajonin sigurinë dhe të ardhmen e tij.

Sicred