KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Prishtina, taksa shtesë produkteve të Serbisë
Prishtina, taksa shtesë produkteve të Serbisë

Prishtina, taksa shtesë produkteve të Serbisë

Qeveria e Kosovës vendosi t’u verë taksa shtesë produkteve të Serbisë që hyjnë në Kosovë, si një kundërpërgjigje ndaj “fushatës së egër të Beogradit për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”. Me masën shtesë të taksës prej 10 përqind për mallrat e Serbisë, por dhe të Bosnjës e Hercegovinës, qeveria e Kosovës tenton që ta godasë edhe Bosnjën për shkak se ky vend ballkanik nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Sipas të dhënave të Odës Ekonomike të Kosovës, Serbia eksporton mallra në Kosovë në vlerë prej rreth 400 milionë euro në vit. E pikërisht për këtë, zëvëndëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj, shkroi në rrjetin social se “qeveria e Serbisë me parate e fituara në Kosovë, po lobon gjithandej për të dëmtuar shtetësinë e Kosovës”. “Nuk ka normalizim të marrëdhënieve me Serbinë nëse ajo vazhdon fushatën e saj agresive kundër Kosovës. Masat ekonomike janë vetëm hapi i parë. Nëse Bashkimi Evropian nuk shfrytëzon ndikimin për t’i dhënë fund veprimeve destruktive të Serbisë, ne jemi të detyruar të veprojmë vetë,” tha Enver Hoxhaj.
Vendimi i qeverisë së Kosovës ka shqetësuar Bashkimin Evropian dhe Beogradin zyrtar. Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançic tha për mediet lokale në Prishtinë se “veprimi i qeverisë së Kosovës është shkelje e obligimeve të Kosovës sipas marrëveshjes së CEFTA-s”. Ashpër ka reaguar Beogradi zyrar i cili thotë, se me vendosjen e taksës shtesë prej 10 përqind për mallrat serbe dhe të Bosnjës dhe Hercegovinës, qeveria e Kosovës ka pamundësuar vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuric, në një konferencë për medie pas vendimit të Prishtinës tha se “lufta tregtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është konflikt i drejtpërdrejtë me normalitetin”.

Sicred