KRYEFAQJA » LAJME » Prishtina feston 9-vjetorin e pavarësisë së Kosovës

Prishtina feston 9-vjetorin e pavarësisë së Kosovës

Përvjetori i nëntë i shpalljes së pavarësisë së Kosovës mbledh në Prishtinë personalitete të shumta, mes të cilëve dhe Kryeministri Rama, për të marrë pjesë në festimet zyrtare, të cilat filluan me një seancë solemne të organizuar me këtë rast në Kuvendin kosovar, dhe do të përfundojnë me një koncert që do të zhvillohet mbrëmjen e nesërme në Teatrin Kombëtar. Këto nëntë vjet, kosova është përballur me shumë sfida, duke filluar që nga marrëdhëniet me Beogradin dhe deri tek funksionimi i institucioneve të shtetit të ri. Të pyetur nga Televizioni Shqiptar, banorët e Prishtinës ndajnë mendime të ndryshme për faktin si po funksionojnë institucionet, por sigurisht të qënit shtet, i vë ata në pozitat që të kërkojnë më shumë nga politikanët e tyre.

“Çdo ditë e më mirë, po përparojmë. E rëndësishme është që serbi nuk është më ktu” . “Unë mendoj që për 9 vitë është arrit diçka. Nuk jam shumë e kënaqur me institucionet e kosovës pasi munden më shumë” u shprehen banorët e Prishtinës.

Ndërsa gazetari Milaim Zeka e sheh shtetin kosovar akoma të brishtë, pasi klasa politike e Kosovës, nuk është fokusuar në pasurimin e shtetit, siç u shpreh ai. “Në këtë shtet që ne festojmë sot pavarësinë, 9-vjetorin e republikës së Kosovës ne nuk kemi spitale, ne nuk kemi ku të shërohemi. Qytetarët e Kosovës duhet të ikin jashtë Kosovës për shërim. Ne kemi shkolla tepër të dobëta dhe ne kemi fabrika faren e të cilës nuk është vu në funksion. Dështimi më i madh i shtetit të Kosovës ka shkuar tek privatizimi i pasurisë publike. Një shtet që ndërton vetëm asfalt që e çon në 80 përqind të buxhetit,  në mënyrë automatike ky shtet vetëm vjedh”tha Zeka.

Sicred