KRYEFAQJA » LAJME » Ministri Xhafaj: Prioritet kryesor-Lufta kundër kanabisit dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira

Ministri Xhafaj: Prioritet kryesor-Lufta kundër kanabisit dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira

Daljen e parë publike ministri i ri Fatmir Xhafaj e ka bërë në krah të kryeministrit Edi Rama dhe krerëve më të lartë të policisë së shtetit të cilën e komentoi si një mbështetje në deyrën që i është besuar. Për të prioritet në punë mbetet lufta kundër kultivimit të kanabisit. Një apel ministri Xhafaj e kishte edhe për angazhimin e policisë në këtë luftë. “Më shumë njerëz në terren se në zyra në luftën për parandalimin e mbjelljes së kanabisit. Do të ketë ndëshkim për çdo rrënjë të kanabisit të mbjellë, dhe ky ndëshkim nuk do të bjerë vetëm mbi ata që tentojmë ta mbjellin por edhe mbi ata që e lejojnë” tha ministri i sapo emëruar Xhafaj.

Përballë akuzave të opozitës se zgjedhjet janë të rrezikuara nga policia, ministri i ri tha se do të ketë ndëshkim për çdo punonjës që do të tentojë të ndërhyjë në këtë proçes. “Do të ndëshkohet rëndë çdo përfshirje apo çdo rol tjetër i policisë, organeve të saj apo punonjësve të saj që i tejkalon në këtë proçes kompetencat e përcaktuara nga ligji” shtoi më tej ministri Xhafaj. Përpara drejtuesve më të lartë të policisë dhe mediave, zoti Xhafaj komentoi sulmet ndaj tij, për të cilat tha se bëhen nga ata që nuk duan reformën në drejtësi. E si një ndër aktorët kryesorë të Reformës në Drejtësi, Xhafaj tha se koha ka ardhur që vettingu të bëhet edhe për policët e korruptuar.

Në krah të ministrit të ri të brendshëm, kryeministri Edi Rama, tha fjalë shumë të mira për policinë, duke e konsideruar si “institucionin më të besueshëm tek opinioni”. “Sot, policia është në kontroll të plotë të territorit edhe përsa i përket ndërtimeve pa leje e prerjes së pyjeve, por kemi ende shumë për të bërë’ tha zoti Rama. Ai premtoi se këtë vit do i “vihet kapak historisë së gjatë të kultivimit të kanabisit”. “Sfida është përshkallëzimi i mëtejshëm i luftës kundër kultivimit të kanabisit. Pas shkatërrimit të “Republikës së Lazaratit”, ne kemi të gjitha arsyet ta konsiderojmë vitin 2017 si vitin që i vë kapak kësaj historie të gjatë. Puna e nisur me kontrolle të imta dhe të vazhdueshme në të gjithë territorin për të parandaluar mbjelljen e kanabisit, përbën një bazë inkurajuese që në vjeshtën e këtij viti ne të dalim krenarë përballë popullit dhe partnerëve ndërkombëtarë”, tha kryeministri Rama.

 

Sicred