KRYEFAQJA » LAJME » Presidentja e Senatit të Hollandës Anki Brukers-Knol: Ky është viti i PO-së për Shqipërinë!

Presidentja e Senatit të Hollandës Anki Brukers-Knol: Ky është viti i PO-së për Shqipërinë!

Kryetari i Kuvendit z. Gramoz Ruçi prit në një takim Presidenten e Senatit të Hollandës, Znj. Anki Brukers-Knol, dhe delegacionin që e shoqëronte, të cilët po zhvillojnë një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Ky ishte takimi i parë i Kryetarit të Kuvendit pas Vendimit të Këshillit Europian, i cili iu përgjigj pozitivisht rekomandimit të Komisionit dhe përcaktoi rrugën drejt hapjes së negociatave të pranimit me Shqipërinë në qershor 2019.
Kryetari Ruçi i shprehu Presidentes Anki Brukers-Knol mirënjohjen e Kuvendit të Shqipërisë si edhe të gjithë shqiptarëve, për mbështetjen e vazhdueshme dhe korrekte të Hollandës për perspektivën evropiane të Shqipërisë.
Ne jemi të bindur se në qëndrimin e Hollandës për çështjen e hapjes së negociatave me Shqipërinë nuk ka asnjë grimcë paragjykimi, por vetëm vëmendje e kujdes të natyrshëm, nënvizoi Z. Ruçi. Vërejtjet e Holandës po shqyrtohen me shumë seriozitet nga të gjitha institucionet shqiptare dhe lufta kundër korrupsionit, kriminalitetit dhe trafiqeve po ashpërsohet e thellohet, tha ai.
Njëkohësisht zoti Ruçi shprehu garancinë se përpjekjet e Kuvendit të Shqipërisë për thellimin dhe qëndrueshmërinë e arritjeve në pesë prioritetet kyçe të procesit të integrimit do të vazhdojnë të rriten dhe do të prodhojnë rezultate më të prekshme e më të larta. Kuvendi i Shqipërisë ka përgatitur agjendën e vet për të garantuar legjitimitetin demokratik dhe kontrollin ligjor e politik të procesit përgatitor për hapjen e negociatave.
Kuvendi po nxit qeverinë të punojë me Komisionin Evropian për procesin përgatitor, në mënyrë që qershorin e ardhshëm të kemi përmbushur të gjitha detyrimet.
Deri në qershor 2019, vuri në dukje zoti Ruçi, Shqipëria do t’i ketë bërë të gjitha detyrat e shtëpisë. Kryetari i Kuvendit vlerësoi kontributin e Holandës për kryerjen e reformave, sidomos reformës në drejtësi, si një reformë unike në vendet kandidate dhe nënvizoi se suksesi i kësaj reforme buron edhe nga kontributi i institucioneve dhe gjyqtarëve holandezë në zbatimin e reformës dhe në strukturat e vetingut. Testi deri në qershor 2019 që kemi përpara është një test si për shumicën qeverisëse, ashtu edhe për opozitën. Sepse është një sfidë për Shqipërinë, nënvizoi Z. Ruçi.
Nga ana e saj Presidentja Anki Brukers-Knol theksoi se kam ardhur këtu me bindjen se Shqipëria do të bëhet një anëtare solide e Bashkimit Europian. Hollanda është e bindur se Shqipëria është një vend europian dhe me një të ardhme të qartë europiane. Qëndrimi i Hollandës për çështjen e hapjes së negociatave është një mundësi shumë e mirë për të nxitur Shqipërinë të luftojë më ashpër kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Vetting-u është një rast unik dhe rezultatet që ju keni arritur në këtë aspekt janë impresionuese. Jam e bindur se në qershor 2019 negociatat me Shqipërinë do të hapen. Gjatë këtij viti që kemi përpara Shqipëria do t’i përmbushë të gjitha kushtet. Ky vit do t’i bindë të gjithë kritikët dhe në qershor 2019 askush nuk do të ketë pakënaqësi për rezultatet e Shqipërisë. Ky vit, theksoi Znj. Brukers-Knol, është viti i PO-së për Shqipërinë.

Sicred