KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Presidenti Meta: Kur cënohen gazetarët, cënohet demokracia!

Presidenti Meta: Kur cënohen gazetarët, cënohet demokracia!

Takimin e parë me gazetarët si presidenti i republikës, zoti Ilir Meta e zhvilloi në Ditën Ndërkombëtare për dhënien fund mosndëshkimit të krimeve ndaj gazetarëve. Kreu i shtetit dha mesazhin se kur cënohen gazetarët, është cënuar demokracia. “Kjo është një ndjeshmëri që unë jam i bindur që e ka gjithë shoqëria jonë në tërësinë e saj” tha zoti Meta, duke shtuar se “Gjithmonë do të jem këtu gjatë pesë viteve, në mbështetje të misionit tuaj, të të gjithë gazetarëve”. Ndonëse nuk përmendi emrin e kryeministrit Rama, zoti Meta duket se e thumboi në distancë lidhur me një raport të tensionuar që shefi i qeverisë pati me gazetarët në parlament javën e kaluar. Zoti Meta u shpreh për atë që ai e quajti solidaritet i veçantë për gazetarët e terrenit “për ata që raportojnë ngjarjet faktet në menyrë të menjëhershme, shpesh duke sakrifikuar në çdo kohë, shpesh duke rrezikuar për shkak të ngjarjeve”. Presidenti Ilir Meta një apel ua drejtoi institucioneve shtetërore që të veprojnë në mënyre të menjëhershme siç tha ai, në mbrojtje të gazetarëve. “Në këtë ditë do të apeloja ndaj të gjithë institucionet shtetërore që të veprojnë në mënyrë të menjëhershme dhe shembullore sa herë që ka akte dhune apo përpjekje për akte të tilla ndaj gazetarëve dhe përfaqësuesve të medias, për shkak të përmbushjes së detyrës suaj dhe të realizimit të misionit tuaj” tha presidenti Ilir Meta.

Sicred