KRYEFAQJA » LAJME » Presidenti Meta: Diplomacia në shërbim të hapjes së negociatave!
Presidenti Meta: Diplomacia në shërbim të hapjes së negociatave!

Presidenti Meta: Diplomacia në shërbim të hapjes së negociatave!

Presidenti Ilir Meta i bëri thirrje trupit diplomatik shqiptar të përshpejtojë përpjekjet për të mundësuar hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE. “Shpërblimi më i mirë i punës suaj do të ishte përmbushja e objektivit tonë afatshkurtër – hapja e negociatave të anëtarësimit vitin e ardhshëm- në interes të qëllimit tonë afatgjatë: anëtarësimit në Bashkimit Evropian” tha zoti Meta në takimin vjetor me ambasadorët shqiptarë.
Zoti Meta nënvizoi rëndësine e konsolidimit të politikës së jashtme të Shqipërisë, si faktor stabiliteti në rajon: “Është mjaft e rëndësishme që të vazhdojmë atë politikë që ndihmon forcimin e pozitave të NATO-s në rajon dhe ashtu sikurse ndodhi me anëtarësimin e Malit të Zi në NATO që është një zhvillim jashtëzakonisht cilësor për sigurinë e mbarë rajonit, edhe për vendin tonë” tha presidenti Meta. Ai shtoi se Shqipëria duhet të japi kontribut maksimal “…për të promovuar anëtarësimin e Maqedonisë në NATO ndërkohë që rrethanat besoj se janë më të favorshme tani se sa përpara disa muajsh apo vitesh”. “Ky do të ishte një element tjetër i forcimit të sigurisë rajonale, edhe të sigurisë së përbashkët, por do të ishte mjaft e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për shqiptarët që jetojnë në Maqedoni dhe do të përshpejtonte edhe vetë procesin e integrimit evropian të Maqedonisë, dhe rrjedhimisht do të ndihmonte edhe në plotësimin më të shpejtë të aspiratave të shqiptarëve të Maqedonisë” tha presidenti shqiptar Ilir Meta.
Lidhur me Kosovën ai u ndal tek rëndësia e zgjidhjes së çështjes së demarkacionit dhe liberalizimi i vizave të qytetarëve të saj. “Unë shpresoj që pas raundit të dytë të zgjedhjeve vendore atje, edhe politika e Kosovës të bëjë përpjekje më të mëdha për të kapërcyer këtë moment, sepse zgjidhja e këtij problemi me Malin e Zi do ta përqendronte akoma më mirë Kosovën me probleme më të mëdha që ajo ka për të çuar përpara dialogun me Serbinë” tha zoti Meta.
Presidenti u shpreh për nevojën e një diplomacie aktive dhe konkurruese. “Në një botë që gjithnjë e më shumë globalizohet besoj se mund të jemi më konkurues duke bashkëpunuar më ngushtë me fqinjët dhe me të gjitha vendet e rajonit” tha zoti Meta.
Presidenti u ndal edhe tek diplomacia kulturore duke theksuar se ajo duhet të jetë në shërbim të diplomacisë ekonomike. “Besoj se përmes artit, kulturës, sportit, ne mund të arrijmë të tërheqim vëmendje shumë më të madhe për vendin tonë, të rrisim simpatinë, mbështetës, “netuork-un” që mundëson një përmirësim të imazhit të Shqipërisë dhe të objektivave apo të ambicieve tona” tha zoti Meta. “Sidoqoftë vendimtare mbetet puna që ne do të bëjmë brenda vendit për të përmirësuar akoma edhe më tej klimën e biznesit, ashtu sikurse jam i bindur që ju do të vazhdonit të bëni gjithçka për të promovuar turizmin, produktet e vendit tonë dhe për të rritur interesin e investitorëve të ndryshmë drejt Shqipërisë” tha presidenti Meta.
Kreu i shtet veçoi ndërkaq se shqiptarët jashtë atdheut, janë një potencial i jashtëzakonshëm në dobi të përmirësimit të imazhit dhe ekonomisë së Shqipërisë. “Natyrisht dhe krijimi i Ministrisë së Diasporës është një element pozitiv që reflekton pikërisht atë që kemi potencial shumë të madh të shqiptarëve jashtë ndaj të cilëve kemi detyrim të marrëdhënieve shumë më të qëndrueshme dhe të tregojmë më tepër kujdes dhe mbështetje për ta, por është një diasporë që mund të investohet shumë mirë në të ardhmen në interes të zhvillimit të vendit” tha kreu i shtetit në takimin e trupin diplomatik shqiptar. “Viti që vjen është viti i Skënderbeut, është një moment shumë pozitiv për t’i bashkuar të gjithë shqiptarët. Ne nuk kemi të vështirë që të ndahemi me njëri-tjetrin, për fat të keq. Shpresojmë që Viti i Skënderbeut të na bashkojë të gjithëve, sepse është një figurë përbashkuese prej shekujsh e mbarë kombit tonë, figurë në të cilën ndihet ekzistenca, filmimi i këtij kombi dhe është një moment për t’i bashkuar shqiptarët dhe për të ngritur më lart vlerat e gjithë kombit tonë. Jo vetëm kaq, por gjithashtu edhe për të dhënë një mesazh bashkimi jo vetëm për një vit, por në perspektivë, në një plan më afatgjatë” tha zoti Meta.

Sicred