KRYEFAQJA » LAJME » Presidenti, më 19 prill zhvillohet raundi i parë i votimit
Presidenti Meta mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Presidenti, më 19 prill zhvillohet raundi i parë i votimit

Parlamenti shqiptar ka vendosur që më 19 prill, në orën 18,  të zhvillohet raundi i parë i votimit për Presidentin e ri të Shqipërisë. Kjo u bë e ditur të enjten pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve. Një ditë më parë kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruci i dërgoi një letër kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, ku i kërkoi mbledhjen e konferencës së kryetarëve për caktimin e kalendarit. Zoti Ruci ka kërkuar që raundi i parë të zhvillohet në datën 19 Prill. Opozita nga ana e saj nuk është shprehur. Krerët e saj janë mbledhur të enjten në selinë e PD.
Një ditë më parë parlamenti ka njoftuar zyrtarisht se mandati i presidentit Bujar Nishani përfundon më 24 korrik. Sipas ligjit data 9 korrik, është afati i fundit që Kuvendi të zgjedhi kreun e ri të shtetit. Për zgjedhjen e presidentit kërkohet shumicë e cilësuar prej 84 votash në katër raundet e para, ndërsa në raundin e fundit presidenti të zgjidhet edhe me 71 vota.
Ende nuk ka asnjë kandidaturë për këtë post. Vetë zoti Nishani është shprehur disa herë i gatshëm për të rikandiduar. Kryeministri socialist Edi Rama pak kohë më parë u shpreh se  “Ne do bëjmë që presidenti apo presidentja, të jetë një figurë që të ketë mirëkuptim dhe mbështetje”. Sipas ligjit kandidaturën e presidentit e paraqesin jo më pakë se 20 deputetë.

Sicred