KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Presidenti Kinez Xhinping, për civilizimet e ndryshme
Presidenti Kinez Xhinping, për civilizimet e ndryshme

Presidenti Kinez Xhinping, për civilizimet e ndryshme

Presidenti Kinez Shi Xhinping, ka bërë këtë të mërkurë thirrje që vendet e botës të jenë të hapura ndaj njëra tjetrës, dhe e konsideroi supremacinë e rracave si budallallëk, ndërsa tensionet tregtare mes vendit të tij dhe SHBA-ve, kanë shënuar rritje së fundmi. Komentet e Zotit Shi, përbëjnë edhe fjalimin e tij të parë publik që nga përshkallëzimi i mosmarrëveshjes tregtare, SHBA-Kinë, të cilat kanë rrritur tarifat ndaj prodhimeve të njëra tjetrës. Presidenti Kinez nuk përmendi SHBA-të apo luftën tregtare në mënyrë të drejtpërdrejtë, por u përqëndrua në prezantimin e Kinës si një vend i hapur. Ai githashtu theksoi se civilizimet e ndryshme nuk ishin të destinuara të përplaseshin.  “Të mendosh se rraca apo kultura e dikujt janë superiore, dhe të këmbëngulësh në transformimin apo zëvendësimin e civilizimeve të tjera, është një budallallëk në koncept dhe shkatërruese në praktikë”, – u shpreh ai, gjatë Konferencës për Dialog të Civilizimeve Aziaktike, mbajtur në Pekin.  “Nuk ka përplasje mes civilizimeve të ndryshme. Thjesht na duhet të kemi sy që të vlerësojmë bukurinë e të gjithë civilizimeve,” – shtoi ai. Presidenti Kinez gjithashtu tha se, vendi i tij do të bëhej më i hapur për botën. “Kina e sotme nuk është vetëm Kina e Kinës, është Kina e Azisë dhe Kina e Botës. Kina në të ardhmen, do të ndërmarrë një përqasje më të hapur për të përqafuar botën,” – tha ai.

Konferenca e kësaj të mërkure, në të cilën morën pjesë edhe Presidenti Grek, ai i Sri Lankës, si dhe Presidenti i Singaporit, konsiderohet si pjesë e përpjekjeve të Kinës për të përmirësuar imazhin e saj. Vendi komunist është përballur me kritika për kontrollet e rrepta kibernetike, projektin e fort kundërshtuar infrastrukturor, ‘Një brez, Një rrugë’, që synon zgjerimin e lidhjeve botërore tregtare, apo edhe për trajtimin e muslimanëve në rajonin Shinxhiang.

Sicred