KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Presidenti italian heziton të konfirmoje kryeministrin e ri

Presidenti italian heziton të konfirmoje kryeministrin e ri

Në pritje të përgjigjes së presidentit për emrin e kryeministrit, liderët politikë në Itali janë takuar në fshehtësi të martën për një raund të ri negociatash. Matteo Salvini dhe Luigi Di Maio, siç raportojnë mediat italiane, këtë herë kanë diskutuar për emrat e anëtarëve të kabinetit qeveritar. Pikë kyçe në këtë aspekt është posti i ministrit të Ekonomisë, për mbajtjen e të cilit përflitet emri i Palo Savona. Në përfundim të takimit dy krerët politikë janë shprehur optimistë, duke i cilësuar bisedimet të qeta dhe konstruktive. Ndërkohë, ministrja e Jashtme e Francës, i ka bërë thirrje qeverisë së ardhshme të Italisë që të mos zgjedhë të veprojë si “ujk i vetmuar” në Bashkimin Europian. “Fati ynë është i lidhur ngushtë me njëri-tjetrin dhe të ecësh i vetëm në Europë nuk është as e mundur, por as e dëshirueshme”, ka thënë ministrja gjatë një raportimi në Parlamentin francez. Një apel të ngjashëm ka bërë edhe ministri gjerman i Ekonomisë. “Shpresojmë në një qeveri pro-europiane, sikurse ka qenë në 70 vitet e fundit”, ka thënë ministri. Zyrtari i lartë ka nënvizuar se po i ndjek me vëmendje zhvillimet në Itali. Reagimet e ndërkombëtarëve vijnë në një kohë kur edhe figura e kandidatit për kryeministër, Giuseppe Conte, është vënë në dyshim. Por për Salvinin dhe Di Maion, skepticizmi i Perëndimit është vetëm një tymnajë për të mbuluar frikën e tij nga rruga e ndryshimit që ka zgjedhur Italia.

Sicred