KRYEFAQJA » LAJME » Presidenti Ilir Meta dekreton Edi Ramën në postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme
Rama ironizon Metën: Meta drejtuesi më serioz i opozitës!

Presidenti Ilir Meta dekreton Edi Ramën në postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme

Presidenti Ilir Meta dekretoi paraditen e së premtes kryeministrin Edi Rama në postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, bëhet e ditur nga presidenca. Bashkë me këtë lajm vjen dhe ai për lirimin nga detyra të ministrit të deritanishëm Ditmir Bushati. Pritet që zoti Rama të bëjë betimin në presidencë. Bashkë me këtë lajm zëdhënësi i zotit Meta në një njoftim botuar në faqen e web-it të presidencës bën të ditur se “Emërimi i Kryeministrit edhe në detyrën e Ministrit është një rast i veçantë, që nuk parashikohet dhe as ndalohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”. “Presidenti i Republikës vlerësoi këtë propozim në përputhje me frymën që përcjell Kushtetuta dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, duke bërë një interpretim të zgjeruar dhe fillestar të dispozitave kushtetuese, si dhe duke mbajtur në konsideratë faktin që, ushtrimi i detyrës së Ministrit nga Kryeministri është një veprimtari shtetërore që shtrihet brenda sferës ekzekutive pjesë e kabinetit qeveritar, struktura e të cilit është në të drejtën e Kryeministrit për t’u propozuar” shkruan zëdhënësi i presidentit. Ai vlerëson se “Në shqyrtimin e këtij propozimi Presidenti i Republikës, në cilësinë e Kreut të Shtetit, ka mbajtur në konsideratë edhe rëndësinë e evitimit të çdo mundësie për krijimin e një krize institucionale, e cila do të dëmtonte pozitën e Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare”.
Duke bërë të ditur se do të jetë shefi i diplomacisë shqiptare, zoti Rama ka thënë se do të jetë “de jure” në këtë post. Ai la të kuptohet që “de fakto” ministër do të jetë zëvendësministri aktual Gent Cakaj, kandidatura e të cilit për ministër të jashtëm nuk u pranua nga presidenti Meta, ndërsa provokoi polemika në Shqipëri dhe Kosovë. Megjithatë çështja e emërimit dhe refuzimit të zotit Cakaj do të  shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese e cila është drejt krijimit.

Sicred