KRYEFAQJA » LAJME » Presidenti i ri, LSI mbledh firma për Metën
Presidenti i ri, LSI mbledh firma për Metën

Presidenti i ri, LSI mbledh firma për Metën

Zgjedhja e presidentit të ri të Shqipërisë ka njohur të enjten zhvillime gati të papritura. Pas dështimit të raundit të tretë në parlament, për shkak të mosparaqitjes së asnjë kandidati, PS partia më e madhe e koalicionit të majtë në pushtet ka hedhur një hap të rëndësishëm. Kreu i grupit të saj parlamentar Gramoz Ruçi i ka kërkuar me tone gati ultimative kreut të parlamentit Ilir Meta, që të ndërmarri hapa konkretë për të zgjedhur presidentin e ri. “Koha e dialogut ka mbaruar. Duhet të zgjedhim presidentin nga ky Parlament” tha zoti Ruçi. “Sa për dijeni zoti kryetar, ne socialistët i kemi bërë llogaritë tona dhe i kemi 71 votat edhe pa LSI-në, por unë shpresoj të mos na detyroni të shkelim mbi moralin e kësaj force politike. Zoti kryetar, ju takon juve si kryetar i një force politike që jeni vendosur si ndërmjetës e që keni anuar nga pala tjetër të vendosni. Bëj thirrje që të mblidhet Konferenca e Kryetarëve dhe nesër të bëhet jo vetëm një por dy raunde dhe të zgjedhim presidentin ose të shkojmë në zgjedhje të parakohshme” shtoi më tej zoti Ruçi.
Menjëherë pas kësaj deklarate, Byroja e Parlamentit ka vendosur që seanca e katërt e zgjedhjes së presidentit të zhvillohet të premten në orën 17.
Ndërkaq burime të ndryshme informacioni bëjnë të ditur se LSI ka nisur mbledhjen e firmave për të paraqitur kandidaturën e zotit Ilir Meta në postin e presidentit të ri të vendit. Sipas ligjit do të duhen firmat e 20 deputetëve për të paraqitur kandidaturën. Media të ndryshme shkruajnë se LSI po kërkon ndihmën e deputetëve të PDIU për të plotësuar këtë numër. Ende nuk dihet qëndrimi i PS, kryesia e së cilës do të mblidhet në mbrëmjen e së enjtes. Por paraditen e kësaj dite zoti Rama dhe zoti Meta kanë patur një takim midis tyre.
Rreth këtyre zhvillimeve ka reaguar edhe kreu i opozitës Lulzim Basha. Sipas tij Rama dhe Meta kanë bërë pazar politik në kurriz të shqiptarëve. “Sot Edi Rama bëri atë që u mundua ta shmangte për 4 vjet, u përhoq ta fuste në burg rivalin politik, për të cilin ngriti anë e mbanë Evropës dosje konspiracioni me komplote vrasje, u detyrua ta shpallë President të rilindjes së falimentuar dhe të korruptuar” tha zoti Basha para përkrahësve të tij.

Sicred