KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Presidenti amerikan takohet të hënën me homologun rus

Presidenti amerikan takohet të hënën me homologun rus

Presidenti amerikan Donald Tramp po i mban pritshmëritë e tij nën kontroll para takimit me homologun Rus Vladimir Putin, që zhvillohet të hënën në Finlandë. “Do të shkoj me pritshmëri të ulëta” tha presidenti amerikan gjatë një interviste për CBS News. I pyetur për synimet e tij për takimin në fjalë, zoti Tramp thjesht tha : “Do jua bëj të ditur pas takimit”, duke premtuar se asgjë e keqe nuk do të rezultonte nga disktuimi i dy liderëve botërorë. “Mendoj se është gjë e mirë që takohemi. Besoj tek takimet. Besoj se ishte gjë shumë e mirë që u takova me kryetarin Kim. Besoj se është gjë shumë e mirë që jam takuar me presidentin e Kinës. Nga ky takim nuk do të dalë asgjë e keqe, por ndoshta diçka e mirë” tha ai. Presidenti amerikan gjithashtu bëri të ditur se do të ngrinteçcështjen e 12 shtetasve rusë të paditur për hakerim të demokratëve gjatë zgjedhjeve amerikane të 2016-ës, por gjithashtu tha se nuk kishte menduar që të kërkonte ekstradimin e tyre, ndërkohë që SHBA-të nuk kanë ndonjë traktat ekstradimi me Rusinë.
Zoti Tramp vijoi të fajësonte administratën Obama për mënyrën se si iu përgjigj përpjekjeve ruse për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane. “Epo, edhe mundet” tha presidenti amerikan kur u pyet për mundësinë e ekstradimit të rusëve. “Nuk e kam menduar këtë. Por sigurisht që do të pyes për një gjë të tillë. Por sërish, kjo ndodhi gjatë administratës Obama. Kanë bërë ç’kanë dashur gjatë administratës Obama. Presidenti gjithashtu këmbënguli që Komiteti Kombëtar Republikan pati sisteme të sigurisë kibernetike shumë më superiorë se ato të përdorura nga Komiteti Kombëtar Demokrat, dhe kjo është arsyeja se pse ky i fundit u bë subjekt i hakerimit. “Kam dëgjuar se janë përpjekur të hakerojnë edhe Komitetin Republikan. Por ne kemi patur mbrojtje shumë më të mirë. Mendoj se Komitetit Kombëtar Demokrat duhet t’i vijë turp se pse ka lejuar veten që të bëhet pre i hakerimit” u shpreh presidenti amerikan në intervistën e tij për CBS News.

Sicred