KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Prenke Jakova, misteret e një kompozitori

Prenke Jakova, misteret e një kompozitori

Prenke Jakova ishte një kompozitor atipik, e nisi krijimtarinë e tij me një hymn kishtar dhe e mbylli me një hymn që supozohej të ishte hymni i Republikës. Në 100 vjetorin e lindjes, familjarë dhe miq të kompozitorit shkodran u mblodhën për ta përkujtuar duke nxjerrë nga senduqet jo vetëm partiturat por edhe objekte si baketa që ai pati përdorur në operan Mrika në vitin 1958 apo edhe lapsat që përdorte për shkrimin e muzikes. Ende sot pas shumë vitesh vetëvrasja e tij në 1969 është e veshur me mister ndërkohë që vepra shkëlqen në dritë të diellit dhe operat Mrika dhe Skenderbeu janë gur themel i historisë së muzikes shqiptare. Cila është partitura që ju e mbani si thesarin e koleksionit familjar? “Nuk janë nji janë shumë po sidomos Mrika e shkrume në 1958” tha Lekë Jakova nipi i Prenk Jakovës. Himni që u shkruajt prej kompozitorit vetëm pak kohë para se të vetëvritej bart tingujt e një personaliteti që e shihte muzikën si mision. “ Na ka lënë një opus prej 130 veprash. Ishte një ftesë, dukej e kohës, një hymn përveç hymnit që ne akoma sot e kësaj dite kemi sëbashku me këngën “Për ty atdhe” sebashku me një punë të Çesk Zadesë dhe një të Nikolla Zoraqit. Është një punë të cilën e la të papërfunduar” tha violinisti Lorenc Radovani. “Unë kam gjithmonë shumë emocione sa herë që ë ni muzikën e tij se jam rrit me at muzikë. E kena ni tu e kompozu, e kena ni përnatë. Kam kujtim edhe ftesën e parë të operas “Mrika” kur asht ba shfaqja” tha Ana Shkreli. Kompozitori konsiderohet si themeluesi i gjinisë së operas kombëtare shqiptare, me dy veprat e tij “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” dhe “Mrika” . Por Prenk Jakova ishte një kompozitor që shkroi me sukses romanca, kantata dhe këngë. Këngët e tij “Syrin tek qershia” dhe “Margjelo” janë shumë të njohura dhe për shkak të popullaritetit që gëzojnë shumë kush i identifikon si këngë popullore shkodrane.