KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Mediat e huaja – Shqipëria, destinacion për tu vizituar

Mediat e huaja – Shqipëria, destinacion për tu vizituar

Shqipërinë po e shoqëron mbarësia edhe këtë fillim viti për të pasur një emër të mirë, tërheqës dhe kureshtar për gjithë turistët në botë. Emrin e saj në këtë muaj janar e gjen në media e blogje të ndryshme. Por sidomos fundi i këtij muaji ka qenë edhe më i ngarkuar me publikime në disa nga mediat më të rëndësishme në botë.

Prestigjiozja “Bright Side” e ka përfshirë e propozuar Shqipërinë mes 12 vendeve të mrekullueshme që ofrojnë pushime të lira, ku akomodimi shkon nga 5 euro në hostel në €10 hotel, e ushqimi i rrugës 2 euro apo restorante që nisin nga €3.50, kafe nga gjysmë deri në 1 euro.

Britanikja “The Telegraf”, që i ka të shpeshta shkrimet për Shqipërinë, edhe disa herë në vit, e rifut edhe në këtë muaj të parë të 2018-s Shqipërinë, qytetin trashëgimi të UNESCO-s, Beratin në 30 qytetet më të bukura në Europë, madje e rendit të dytin në listë, pas Kilkenit në Irlandë.

Edhe gjigandi tjetër britanik, “The Guardian”, që nuk kursehet të shkruajë shumë shpesh për Shqipërinë, këtë fund janari e liston vendin tonë në një prej 20 sfidave më të mira të udhëtimit të aventurës për 2018, duke propozuar ecje në malet e Veriut të Shqipërisë apo në shtigjet bregdetare të Rivierës Shqiptare. Nisjet drejt Shqipërisë propozohen në maj ose shtator.

Irlandezja “The Irish Times” e propozon Shqipërinë si destinacionin e dytë në listën me rreth 30 vende që rekomandohen për pushime familjare, të qëndrueshme dhe pa shpenzime.

Blogerja Carol Nash, që e cilëson udhëtimin një mënyrë për të pastruar mendjen, e përfshin Shqipërinë si një prej vendeve idilike europiane për t’u eksploruar, edhe pse dikur i nënvlerësuar, por që po rritet vazhdimisht në popullaritet. “Me plazhe të bukura, qytete historike dhe pamje të mrekullueshme, Shqipëria ia vlen ta vizitoni”, shkruan Carol Nash. 

Mediat e huaja janë vlerësuar si faktorë kryesorë në rritjen e numrit të turistëve nga viti në vit. Duke parë këtë prani që në muajin e parë të viti, kohë kur nisin bëhen planifikimet për pushime, shpresohet se ato do të ndikojnë për një rritje edhe më të madhe. Një ditë më parë kryeministri Rama tha se të paktën 30 mijë zviceranë kanë prenotuar këtë vere pushime në Shqipëri.

Sicred