KRYEFAQJA » LAJME » Poroçan, nis ndërtimi i urës, ministrja Xhaçka: Në 100 ditë më shumë ura të tilla

Poroçan, nis ndërtimi i urës, ministrja Xhaçka: Në 100 ditë më shumë ura të tilla

Për vite të tëra, 3 mijë banorë të fshatrave Poroçan, Holtas, Gjere, Lleshaj në bashkinë e Gramshit kanë vuajtur izolimin nga pjesa tjetër e vendit, veçanërisht në ditët e vështira të dimrit. Shkollat dhe qendrat shëndetësore, në largësi nga fshatrat dhe nga njëra – tjetrat kanë qenë përherë e më shumë të paarritshme nga banorët, për shkak të amortizimit të urës pasarelë, e vetmja që lidhte zonën me pjesën tjetër të bashkisë.
Por, situata do të marrë fund pas jo më shumë se 10 ditësh, kur pritet të përfundojë ura e re, tip Bayle. Ajo nisi sot të ndërtohet nga efektivi i togës së urave në Batalionin e Xhenios të Forcave Mbështetëse. Ministrja e mbrojtjes, Olta Xhaçka e pranishme në ditën e parë të fillimit të punimeve, deklaroi se Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë të pranishmë aty ku pakkush mund të ndërhyjë. “Kur të gjithë të tjerët janë dorëzuar, pasi për pamundësi nuk e ndërtojnë dot një urë apo për pamundësi nuk i përgjigjen dot pasojave të një fatkeqësie natyrore apo për pamundësi nuk i përgjigjen dot nevojave emergjente për ndihmë, Forcat e Armatosura janë gjithmonë atje siç kanë qenë, siç janë dhe siç do të jenë gjithmonë pranë qytetarit dhe pranë komunitetit” tha ministrja Xhaçka. “Në 100 ditëshin e parë të qeverisë do të kemi më shumë ura të tilla, për të bërë të mundur që shumë fshatra, sikundër këto katër fshatra këtu pranë Poroçanit të dalin nga izolimi i dimrit të vështirë. Që 3000 banorë këtu të kenë mundësinë të lëvizin më kollaj apo që 300 nxënësit e këtyre katër fshatrave, bashkë me prindërit e tyre ta kenëshumë më të lehtë që të lëvizin drejt tre shkollave 9-vjeçare dhe shkollës së mesme” premtoi ministrja Olta xhaçka në takimin me banorë të Poroçanit në Gramsh.

Sicred