KRYEFAQJA » LAJME » Policia, masa të rrepta në ndeshjen Partizani-Vllaznia

Policia, masa të rrepta në ndeshjen Partizani-Vllaznia

Zhvillimi i ndeshjes Partizani-Vllaznia në stadiumin “Selman Stërmasi” të dielën në orën 17.00, ka sjellë pështjellime në kryeqytet prej ditës së premte. Pas arritjes së marrëveshjes midis FSHF, klubeve të Tiranës e Partizanit, si dhe policisë së kryeqytetit, kjo e fundit, nëpërmjet një njoftimi për shtyp ka pranuar se do të jetë në stadium duke publikuar masat që do të marrë për mbarëvajtjen e kësaj sfide. Njoftohen të gjithë tifozët që nuk do të lejohen të futen në stadium, bidona uji, çakmakë, monedha çelësa metalikë, e sende te tjera te forta. Gjithashtu duke filluar nga ora 12:00 e deri në përfundim të ndeshjes së të dielës do të bllokohen rrugët: “Emin Duraku”, “Gjin Bue Shpata” dhe rruga përballë stadiumit “Selman Stërmasi”. Edhe lëvizjet e tifozerive përkatëse nga pika e takimit deri tek stadiumi “Selman Stërmasi”, do të bëhen të shoqëruara nga policia. Nuk do lejohen fëmijë nën moshën 14 vjeç të pa shoqëruar nga prindërit të hyjnë në stadium. Pas përfundimit të ndeshjes tifozët respektivë do të largohen nga rrugët që kanë ardhur të shoqëruar nga Shërbimet e Policisë. Per mbarëvajtjen e këtij aktiviteti janë angazhuar 261 forca policie dhe 5 grupe FNSH -je. Policia ka kërkuar mirëkuptimin e drejtuesve të ekipeve dhe tifozerive respektive për bashkëpunimin dhe mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv sa më normal dhe të qetë.

Sicred