KRYEFAQJA » LAJME » Policia e Kosovës jep hollësi rreth vrasjes së Ivanoviçit
Policia e Kosovës jep hollësi rreth vrasjes së Ivanoviçit

Policia e Kosovës jep hollësi rreth vrasjes së Ivanoviçit

Policia e Kosovës, përmes një deklarate, ka njoftuar se ka vazhduar aktivitetet intensive operacionale dhe hetimore për zbardhjen e vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanovic. Nga dëshmitë e mbledhura, policia konfirmon se viktima është qëlluar me armë zjarri me silenciator. Policia po vazhdon ekzaminimin kriminalistik të të gjitha dëshmive. Në deklaratë thuhet se në veçanti janë duke u nxjerrë, analizuar dhe vlerësuar video-incizimet e marra nga kamerat e sigurisë, të cilat janë marrë në vendin e ngjarjes apo që lidhen me vendin e ngjarjes, si dhe dëshmitë e tjera materiale. Deri tani, sipas policisë, janë intervistuar disa dëshmitarë si dhe janë pranuar disa informacione përmes kanaleve të sigurta të komunikimit, të vendosura për këtë qëllim nga Policia e Kosovës. Gjithashtu, policia ka arritur të gjurmojë në nivel vendi, por edhe ndërkombëtar të dhënat lidhur me qarkullimin si dhe pronarin e veturës “Opel Astra”, e cila u gjet e djegur pas vrasjes së Ivanovic.
Nderkaq Serbia ka kërkuar zyrtarisht që të përfshihet në hetimet për vrasjen e politikanit serb. Ministria e Drejtësisë e Serbisë kërkesën për përfshirje në këtë hetim e ka dorëzuar në zyrën e BE-së në Beograd, një kanal i zakonshëm për komunikim mes palëve. Kjo kërkesë tashmë ka arritur në Ministrinë e Drejtësisë së Kosovës.
Aktualisht hetimet po kryhen nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, nga një prokuror shqiptar dhe serb. Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Drejtori i Policisë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës kanë njoftuar se për hetimin në fjalë është krijuar një Taskë Forcë. Ata po ashtu kanë thënë se në rast se paraqitet nevoja në këtë hetim do të përfshihet edhe Byroja Federale e Hetimeve, me të cilën Policia e Kosovës ka edhe marrëveshje.
Në reagimin e djeshëm, BE ka ofruar EULEX’in për të ndihmuar rreth hetimit të vrasjes ndërkohë që ambasadorët perëndimorë në reagimet e tyre kanë kërkuar që hetimet të kryhen ekskluzivisht nga autoritetet e Kosovës.
Ivanoviç do të varroset nesër në Beograd. Arkivoli me trupin e pajetë të Oliver Ivanoviçit tashmë është nisur drejt kryeqytetit serb. Qindra qytetarë kanë dalë në përcjellje të arkivolit deri në pikën kufitare me Serbinë.
Oliver Ivanovic ishte figura më e lartë politike e vrarë në Kosovë, në 15 vitet e fundit. Ai ka qenë për disa mandate deputet i Kuvendit dhe zyrtar i lartë i Qeverisë së Kosovës. Ivanovic së fundi përballej me aktakuzën për krime lufte, ndonëse ishte i dënuar nga gjykata themelore për vrasjen dhe dëbimin e shqiptarëve nga Veriu, por rasti ishte kthyer në rigjykim.

Sicred