KRYEFAQJA » LAJME » Poliçani në protestë

Poliçani në protestë

Ish-punonjësit e Kombinatit Mekanik të Poliçanit, krenaria e industrisë ushtarake shqiptare e kohës së komunizmit, gjenden në vështirësi. Rreth 360 punonjës, shumica me mbi 2 dekada përvojë pune, kanë tre vite që nuk marrin trajim të veçantë ashtu si parashikon ligji “Për trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”.  Pas shumë kohë pritjeje, shpresash dhe zhgënjimesh, ata kanë protestuar të prirë prej sindikatës që mbron të drejtat e tyre. Ata thonë se kanë marrë shumë premtime, por ende asnjë rezultat. E pyetur për këtë pretendim të punonjësve të KMP, Ministria e Financave tha se nuk ka ende gati një përgjigje. Zyrtarët e saj premtuan se do të informojnë lidhur me pretendimet e ish-punonjësve të Kombinatit Mekanik të Poliçanit, tashmë i degraduar gati tërësisht. Shumica e punonjësve të kombinatit janë pjestarë të të njëjtave familje. Kombinati ka qenë për ta i vetmi vend pune. “Unë kam 20 vjet punëtor në Poliçan, ku edhe kam dal invalid. Me çfarë do të ushqehem?” thotë një punëtor. “Ne kërkojmë zbatimin e ligjit” thotë një bashkëqytetar i tij. Ndërsa një banore e Poliçanit kujton se qyteti ka votuar majtas dhe djathtas. “Ku është ndihma e deputetëve? Pse rrinë indiferentë?” pyet ajo.
Në pamundësi për të punuar në këtë qendër, banorët e Poliçanit, dikur specialistë të kalibrit të lartë të industrisë mekanike dhe ushtarake, detyrohen të punojnë në punë të zezë në guroret e Parkut Kombëtar që rrethon qytetin. Ata shprehin keqardhjen, por thonë se janë detyruar për të mbajtur familjet e tyre.

Sicred