KRYEFAQJA » LAJME » Pogradec, punonjëset e pastrimit protestojnë për pagat

Pogradec, punonjëset e pastrimit protestojnë për pagat

Punonjëset e pastrimit në qytetin e pogradecit kanë protestuar kundër firmës kontraktore që ka kontratë me bashkinë për pastrimin e qytetit. Ato pretendojnë se këtë muaj ekonomistja e firmës u ka mbledhur kartat e bankomatit për të fshehur pagën reale të tyre, duke u dhënë vetëm 18 mijë lekë në dorë. Kanë qënë disa kolegë të tyre ato që kanë tërhequr nga nevoja lekët brenda bankës dhe kanë zbuluar se marrin jo 18 mijë por 21 mijë lekë. Ato pretendojnë se u është kërkuar të rikthejnë diferencën prej 3 mijë lekësh firmes, dhe se paga vazhdon të jetë 18 mijë lekë dhe jo 21 mijë.
Kushtet në të cilat punojnë ato natën janë një tjetër shqetësim që sipas tyre nuk justifikon pagën e cila nuk u del as për mjekime nga puna e lodhshme pavarësisht kushteve të motit.
Pasi morën shqetësimin e punonjëseve kontaktuam me ekonomisten e firmës Marinela Kapri ,sipas së cilës është bërë një gabim në llogaritjen e pagës së punonjëseve dhe se kjo ka qënë arsyeja përse ajo ua ka marrë kartat e bankomatit. Llogaritja e pagës së tyre sipas saj bëhet në bazë të pagës minimale të vendosur nga qeveria që në maj të vitit të kaluar që është 24 mijë lekë bruto mbi të cilën llogariten edhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Por punonjëset paguhen me orë punë dhe jo me ditë të plota. Megjithë këmbënguljen tonë ekonomistja nuk pranoi të na tregonte një kopje kontrate që ka me punëmarrësit. Punonjëset pretendojnë se meritojnë pagë më të lartë duke marrë parasysh vështirësinë e punës që kanë për pastrimin e rrugëve të qytetit në orët e natës dhe nuk u plotësohen kushtet e punes. Mbetet detyrë e autoriteteve përkatëse si inspektoriati shtetëror i punës dhe drejtoria tatimore për të verifikuar nëse shqetësimi i punonjëseve është i drejtë persa i takon fshehjes së pagës reale dhe kushtet që ofron firma kontraktore.