KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » PNUD mbështet dëshirën dhe idetë e të rinjve për biznes

PNUD mbështet dëshirën dhe idetë e të rinjve për biznes

Në shëtitoren Taulania në Durrës Nerada Kulla ka çelur dyqanin “Marigo”. Ajo shet punime artizanale me motive shqiptare. Nerada thotë se ka qenë një ndihmë shumë e madhe për të fondi i dhënë nga projekti i ideuar dhe financuar nga PNUD-i. “Biznesi po më ecën mjaftë mirë. Kam shumë kerkesa veçanërisht nga turistët e huaj që vijnë në Durrës, por edhe shqiptarë”. Sipas Neradës, objektet që preferohen më shumë janë Kulla e Durrësit në miniaturë, rrugica me motive shqiptare të punuara në tezgjah, prodhime argjendi e shumë të tjera.
Nerda është një nga 100 të rinjtë shqiptarë që falë një projekti të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) për uljen e papunësisë tek të rinjtë në Shqipëri ka biznesin e saj.
Sipas programit, i cili mbështetet edhe nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe qeveria shqiptare, financohet deri 500 mijë lekë të reja për çdo të ri të moshës 18-30 vjeç, që ka një ide biznesi dhe kërkon ta konkretizojë atë.
Që nga marsi i vitit 2016 janë zhvilluar dy faza përzgjedhjesh, ku kanë aplikuar rreth 1 mijë të rinj, 720 prej tyre janë përzgjedhur për më tej. Pritet që deri në fund të vitit 2018 do të çelen edhe 100 biznese të tjerë nga të rinjtë shqiptarë.
RTSH vizitoi nga afër disa prej bizneseve, dhe vërejti se të rinjtë që kanë nisur të mishërojnë idetë e tyre, duken mjaftë të kënaqur.
Enri Leka është arkitekt dizajn. Ai ka çelur një studio projektimi në Tiranë dhe ka punësuar 6 të rinj. Henri synon krijimin e prodhimeve unike. “Synoj prototipe që ti regjistroj si marka shqiptare dhe sigurisht pronë personale” thotë ai. Henri është shkolluar jashtë, por kur u kthye në Shqipëri hasi mjaftë vështirësi. “Por falë projektit për mbështetjen dhe punësimin e të rinjve, kam filluar të realizoj ëndërrat e mija profesionale” thotë arkitekti i ri.
Ndërsa në Rragam të Shkodrës po lind një fermë e llojit të veçantë, “Pumpkins Albania”. Ideatorja e saj është Ardenisa Çoku. Ajo kultivon shumë kunguj për dekoracion, por edhe kulinari. “Sapo kemi firmosur dy kontrata me dy restorante në Shkodër që kërkojnë kunguj për konsum dhe zbukurim” thotë Ardenisa.
Po në Shkodër, egzaktësisht në Melgush, Bledar Zhejani po synon të aplikojë shkencën e njohur akuaponisë. madje edhe ferma e tij quhet “Akuaponiks”. Bledari thotë se po synon të kombinojë kultivimin e peshkut me atë të prodhimeve bujqësore. Por ai synon edhe më tej. “Unë dua të prodhoj vaska për kultivimin e peshkut, perimeve dhe erëzave të ndryshme, dhe pse jo ti regjistroj si marka shqiptare”.
Sipas të dhënave të projektit gati të gjithë të rinjtë biznesmenë janë shumë të kënaqur dhe shprehen optimistë se bizneset e tyre do të zhvillohen. Ata janë një model edhe për moshatarët e tyre që synojnë të nisin bizneset, por që ende nuk e kanë gjetur veten, ose fatkeqëisht janë të papunë. Dhe të tillë në Shqipëri ka shumë. Sipas të dhënave zyrtare papunësia ndër të rinjtë në Shqipëri është mjaft e lartë, 28 përqind.

Para Mbrapa
PNUD mbështet dëshirën dhe idetë e të rinjve për biznes 
PNUD mbështet dëshirën dhe idetë e të rinjve për biznes
PNUD mbështet dëshirën dhe idetë e të rinjve për biznes
Para Mbrapa
Sicred