KRYEFAQJA » LAJME » Plazhi i Velipojës me më shumë siguri e shërbime

Plazhi i Velipojës me më shumë siguri e shërbime

Megjithëse nuk jemi akoma në pikun e sezonit, në 15 kilometra bregdet ranor në plazhin e Velipojës, numri i pushuesve në fundjavë arrin në rreth 100 mijë. Me këtë fluks në rritje, krijimi i kushteve të sigurisë për pushuesit mbetet një nga sfidat kryesore edhe për këtë sezon turistik. Sipas Altin Kaçit, administratori i njësisë Velipojë, gjatë plazhit janë ngritur 5 kulla vrojtimi, janë kufizuar sipërfaqet e lundrimit të motorrave të ujit dhe është siguruar shërbimi shëndetësor 24 orë.
Edhe pushuesit në plazhin e Velipojës, shumica e të cilëve vijnë nga Kosova, vlerësojnë masat e marra për sigurinë e tyre. “Është një pritje e mirë, sigurimi i mirë, shërbimi shëndetësor shumë i mirë, po ashtu edhe prania e policisë” thotë një pushues. “Unë vij për herë të parë dhe tani po them pse nuk kam ardhur” shton ai. “Unë kam 5-6 vjet që vijë në Velipojë dhe çdo vit e shikoj më mirë” thotë për RTSH një tjetër pushues kosovar.
Por pavarësisht masave të sigurisë ngjarjet e rënda nuk kanë munguar në Plazhin e Velipojës. Brenda kësaj jave dy pushues kanë humbur jetën, njëri prej tyre sapo kishte hyre në det. Sipas drejtuesve të shëndetit publik në Shkodër, në të dy rastet shkak ka qenë ataku kardiak, ndërkohë që më parë njëri nga viktimat ishte këshilluar nga mjekët.
Për Zamir Fatusha, Drejtor i Shëndetit Publik në Shkodër, shërbimi shëndetësor paraqitet i mirë dhe gjatë muajit qershor ka patur 555 vizita nga pushues të ndryshë. Referuar edhe sezoneve të mëparshme rastet më të shpeshta të emergjencave shëndetësore në plazhin e Velipojës kanë të bëjnë me aksidentet rrugore, kjo për shkak të problemeve me infrastrukturën si dhe të mos respektimit të rregullave të qarkullimit.