KRYEFAQJA » LAJME » Plani anti-kanabis, zbardhet strategjia e qeverisë për ta luftuar

Plani anti-kanabis, zbardhet strategjia e qeverisë për ta luftuar

Lufta kundër kanabisit nuk parashikon vetëm masa shtrënguese ligjore për kultivuesit. Strategjia antikanabis e bërë publike pak ditë më parë ofron dhe anën tjetër të medaljes, masa sociale dhe ekonomike për të zbutur fenomenin. Sipas dokumentit, kategoria e punëtorëve të krahut, që rekrutohen nga radhët e qytetarëve të zonave periferike apo rurale, kryesisht të papunë dhe me kushte ekonomike e sociale të vështira përbën dhe numrin më të madh të individëve të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, ndaj synohet parandalimi i përfshirjes së tyre përmes trajtimesh të veçanta për këta banorë. Strategjia parashikon 15 masa lehtësuese për këtë kategori. Nxitja e vetëpunësimit përmes lehtësimit të skemave të financimit dhe krijimit të alternativave të ligjshme të punësimit në zonat e evidentuara si me risk është një ndër masat kryesore. Ndërsa ata banorë që nuk mund të angazhohen në programin e vetpunësimit do të përfshihen në programet e ndihmës ekonomike. Po ashtu, do të krijohen lehtësira fiskale për banorët e këtyre zonave, duke falur detyrime të prapambetura nga taksat mbi tokën si dhe duke i lehtësuar nga barra e disa taksave të tjera që në strategji vlerësohen si të papërshtatshme. Një tjetër masë e rëndësishme në aspektin social të kësaj strategjie është dhe angazhimi i qeverisë për të shtrirë programet e strehimit edhe në zonat rurale, duke marrë përsipër ndërtimin e shtëpive për ato familje që rezultojnë në pamundësi për ta zgjidhur vetë çështjen e strehimit. Nga ana tjetër, ka një sërë masash që synojnë të nxisin shkollimin e fëmijëve në zonat e gjetura si me risk të lartë të kultivimit të kanabisit. Paketa e masave parashikon edhe programe të posaçme për të nxitur kultivimin e bimeve mjekësore, apo kulturave të tjera të ligjshme bujqësore, prej të cilave sigurohen po aq përfitime sa edhe nga kultivimi i kanabisit.

Sicred