KRYEFAQJA » LAJME » “Pjongçeng 2018”, olimpiada e horizonteve të reja/ transmetim i papreçedent në rrjetin e RTSH-së, njëkohësisht në katër kanale
Rusia pret si heronj pjesmarrësit në "Pjongçang 2018"

“Pjongçeng 2018”, olimpiada e horizonteve të reja/ transmetim i papreçedent në rrjetin e RTSH-së, njëkohësisht në katër kanale

E mbiquajtur si Olimpiada e horizonteve të reja, “Pjongçeng 2018” ka ulur të dielën siparin, duke regjistruar një sërë risish, si në rrafshin sportiv, ashtu edhe në fushat e tjera të jetës. Edhe sa i përket transmetimeve televizive, Lojërat e 23-ta Olimpike Dimërore kanë shënuar një kulm të ri, sepse janë sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Si asnjëherë tjetër, transmetuesi publik ka ofruar në 4 kanale të platformës së tij dixhitale, transmetime maratonë nga Koreja e Jugut, duke përcjellë çdo emocion të 15 disiplina sportive, në cilësinë më të mirë të zërit dhe figurës. Të një Olimpiade sportive ku dy Koretë e nisën bashkë, por e mbyllën veçmas, por në një sfond manovrash diplomatike të mveshura me uniforma sportive. Në ceremoninë shumëngjyrëshe, por të ftohtë të mbylljes në Pjongçeng, Ivanka Tramp u ul afër një gjenerali koreano-verior të futur në listën e zezë dhe sportistët rusë parakaluan pa flamurin e tyre kombëtar. Ndryshe nga ceremonia e hapjes, ku parakaluan bashkë, në atë të mbylljes, koreanojugorët dhe koreanoveriorët marshuan veç e veç, me flamujt e tyre shtetërorë, ndonëse disa mbanin në duar edhe emblemën e bardhë dhe blu të Koreve të Basahkuara.  E bija e Presidentit, Donald Tramp, Ivanka, ishte vetëm pak metra larg nga Kim Jong Çoli i Koresë së Veriut, i cili akuzohet si ideatori i sulmeve ndaj Koresë së Jugut dhe është në listën e zezë të Seulit. Ndërkohë që ceremonia vazhdonte, Shtëpia Blu, siç njihet ndryshe selia presidenciale e Koresë së Jugut, bëri të ditur se Çoli kishte përcjellë mesazhin se Koreja e Jugut ishte “shumë e gatshme”, për të zhvilluar bisedime me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo ishte lëvizja më e fundit për pajtim e bërë gjatë kësaj olimpiade nga Koreja e Veriut, kur motra e udhëheqësit komunist, Kim Jong Un, mori pjesë në ceremoninë e hapjes dhe dy Koretë futën në fushë në hokejin në akull të parën skuadër të përbashkët olimpike. Legjenda e Olimpiadave dimërore, Marit Bjërgen fitoi medaljen e fundit të artë në “Pjongçeng 2018”, duke triumfuar në garën e 30 km “cross country” të dielën dhe duke e ngjitur Norvegjinë në krye të renditjes së medaljeve, mbi Gjermaninë, falë numrit të përgjithshëm të medaljeve të fituara. Ishte një mbyllje e denjë për këto Lojëra dhe vetë Bjërgenin 37-vjeçare, e cila e përmbylli karrierën e saj olimpike me plot 15 medalje, një rekord më vete ky, dhe ishte një nga yjet që shklëqyen gjatë këtyre 16 ditëve gara. Kulmet e tjera të kësaj Olimpiade përfshinin medaljet e arta në snoubord për 17-vjeçaren Klo Kim dhe amerikanin tjetër, Shon Uajt, si dhe kurorat olimpike të fituara  në mënyrë mbresëlënëse në patinazhin artistik nga japonezi Juzuru Hanju dhe 15-vjeçarja Alina Zagitova nga Rusia. Sportisti francez i biatlonit, Martin Furkade, dhe ai norvegjez i “cross country”, Johanes Klaebo, fituan nga 3 medalje ari secili. Skuadra e përbashkët koreane e hokejit për femra nuk fitoi dot asnjë ndeshje, por gjesti i tyre simbolik u vlerësua mjaft dhe u mbështet zhurmshëm nga skuadra e disiplinuar e tifozeve të ardhura nga Koreja e Veriut. Gjermania dhe Norvegjia e mbyllën të dyja me nga 14 të arta, por nordikët morën vendin e parë me rekordin e tyre olimpik të 39 medaljeve, krahasur me 31 të fituara nga rivalët e tyre kontinentalë. Kanadaja ishte e 3-ta me 11 të arta, ndërsa vendi organizator, Koreja e Jugut, u rendit e 7-ta. Ndonëse nuk patën mundësi ta shpalosnin flamurin e tyre në këto Lojëra, e diela ishte sidoqoftë ditë triumfi për Rusinë, pasi skuadra e saj e meshkujve mundi Gjermaninë në finalen e hokejit në akull, duke vijuar në mënyrë sfiduese të këndojë vetë himnin . Tanimë vëmendja do të kthehet tek Tokio, mikpritësja e Lojërave Olimpike veriore të 2020-ës, ndërsa ato Dimërore do të mbeten në kontinentin aziatik, pasi edicioni i ardhshëm, ai i 2022-shit, zhvillohet në Pekin. Sidoqoftë, kudo që të luhet sport cilësor, një gjë është e sigurt dhe që u dëshmua edhe nga “Pjongçeng 2018”, që Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar është shtëpia e sportit për të gjithë shqiptarët dhe do të jetë kështu, sikundër për gjysmëshekullin e fundit, edhe për shumë kohë në të ardhmen.

Sicred