KRYEFAQJA » LAJME » “Pjongçeng 2018”, moti i keq shtyn garën e Mëhillit
“Pjongçeng 2018”, moti i keq shtyn garën e Mëhillit

“Pjongçeng 2018”, moti i keq shtyn garën e Mëhillit

Nëse në Olimpiadën e para 4 viteve në Soçi të Rusisë, shqetësimi kryesor ishte mungesa e dëborës, për shkak të motit të ngrohtë, duket se në atë të këtij viti, po ndodh e kundërta. Sepse borë ka patur shumë, madje më shumë sesa do të kishin dëshiruar organizatorët, ndërsa temperaturat mbeten të rrënjosur në nivele negative, madje rekord për këto vitet e fundit në Kore të Jugut. Kjo ka bërë që disa gara, sidomos ato të skive alpine, të shtyhen. Kështu ka ndodhur edhe garën e Suela Mëhillit, e cila merr pjesë në Olimpiadën e saj të dytë. Ajo duhet të zbriste e para në pistë më 12 shkurt, në ora 10:15 me orën lokale apo 02:15 e mëngjesit me orën e Tiranës, për të konkurruar në garën e sllallomit gjigand. Por sipas informacionit që ka përcjellë Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Stavri Bello, duke folur ekskluzivisht për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar nga Koreja e Jugut me anë të linjës telefonike, kjo garë është shtyrë. “Sikundër ka ndodhur me disiplinën e zbritjes së lirë, që u shty për më 15 shkurt, edhe gara e Suelës është shtyrë për shkak të kushteve të motit dhe pritet që të zhvillohet më datë 14 shkurt”, – ka sqaruar Bello. Në fakt, më datë 14 shkurt, po në të njëjtin orar, në ora 10:15 me orën lokale apo 02:15 e mëngjesit me orën e Tiranës, 24-vjeçarja duhet të konkurronte në garën e sllallomit, por edhe kjo garë pritet të shtyhet. Ndërkaq, skiatori Erjon Tola, që po merr pjesë në Olimpiadën e tij të 4-t, do të zbresë në pistë më 18 shkurt, në ora 10:15 me orën lokale apo 02:15 e mëngjesit me orën e Tiranës, për të konkurruar në garën e sllallomit gjigand. Ndërsa 4 ditë më pas, po në të njëjtin orar, në ora 10:15 me orën lokale apo 02:15 e mëngjesit me orën e Tiranës, 31-vjeçari do të konkurrojë në garën e sllallomit. Deri më tani nuk ka ndryshim në kalendarin e garave të Tolës. Lojërat Olimpike Dimërore “Pjongçeng 2018” po sillen për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.