KRYEFAQJA » LAJME » “Pjongçeng 2018”, finalizohen oraret e garuesve kuqezi
“Pjongçeng 2018”, finalizohen oraret e garuesve kuqezi

“Pjongçeng 2018”, finalizohen oraret e garuesve kuqezi

Ndonëse ky është edicioni i 23-të i Lojërave Dimërore, “Pjongçeng 2018” është Olimpiada e 4-t në të cilin Shqipëria po merr pjesë. Ashtu sikundër edhe 4 vjet më parë në Soçi, edhe në Olimpiadën koreanojugore delegacioni kuqezi përbëhet nga dy sportistë, skiatorët Suela Mëhilli dhe Erjon Tola. Të dy skiatorët do të garojnë në disiplinën e skive alpine, në garën e slllallomit gjigand dhe në atë të sllallomit.

Duke folur ekskluzivisht për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar nga Koreja e Jugut me anë të linjës telefonike, shefi i delegacionit kuqezi, Kliton Muça, ka sqaruar se të shtunën është mbajtur mbledhja e Komisionit Teknik, i cili ka finalizuar edhe datën dhe orën e garave. Kështu, Suela Mëhilli, e cila merr pjesë në Olimpiadën e saj të dytë, do të zbresë e para në pistë më 12 shkurt, në ora 10:15 me orën lokale apo 02:15 e mëngjesit me orën e Tiranës, për të konkurruar në garën e sllallomit gjigand. Ndërsa dy ditë më pas, po në të njëjtin orar, në ora 10:15 me orën lokale apo 02:15 e mëngjesit me orën e Tiranës, 24-vjeçarja do të konkurrojë në garën e sllallomit.

Ndërkaq, skiatori Erjon Tola, që po merr pjesë në Olimpiadën e tij të 4-t, do të zbresë në pistë më 18 shkurt, në ora 10:15 me orën lokale apo 02:15 e mëngjesit me orën e Tiranës, për të konkurruar në garën e sllallomit gjigand. Ndërsa 4 ditë më pas, po në të njëjtin orar, në ora 10:15 me orën lokale apo 02:15 e mëngjesit me orën e Tiranës, 31-vjeçari do të konkurrojë në garën e sllallomit.

Lojërat Olimpike Dimërore “Pjongçeng 2018”, po sillen për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar të premten, duke nisur nga ora 12:00.

Sicred