KRYEFAQJA » LAJME » Peshëngritje, zgjidhet komiteti i ri drejtues i FSHP-së

Peshëngritje, zgjidhet komiteti i ri drejtues i FSHP-së

Shtanga shqiptare ka kurorëzuar të mërkurën paradite një proces të gjatë, por të suksesshëm reformimi rrënjësor, duke zgjedhur një Komitet të ri Drejtues të Federatës së Peshëngritjes, që pason zgjedhjen në prill të Presidentit të ri Theodhor Masllavica. Një gjë e tillë u konfirmua nga Asambleja e Përgjithshme e Jashtëzakonshme e organizmit që qeveris këtë sport në Shqipëri, që u mbajt në mjediset e Kompleksit Olimpik në Tiranë.
Në këtë Asamble morën pjesë 20 nga 21 klubet e mandatuara të kësaj Federate, të cilat fillimisht votuan për ndryshimet në status, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe më pas u kalua në votimin për 6 anëtarët e Komitetit Drejtues. Kanë qenë 13 kandidatura që kanë luftuar për këto 6 vende, që, së bashku me presidentin do të përbëjnë organin e ri drejtues të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Në përfunim 6 anëtarët e rinj janë Anxhelo Koleka dhe Erjon Kanxheri, që kanë marrë nga 16 vota, Odise Moçka, me 14 vota, Edlir Memaj, me 13 vota, Baftjar Abazaj, me 11 vota, dhe Klaus Toska, me 10 vota.
Në përfundim të Asamblesë, Presidenti i Federatës, Masllavica, i ka uruar suksese Komitetit të ri Drejtues, ndërsa kreu i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, ka premtuar mbështetje edhe më të madhe. Edhe përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Arian Konomi, ka bërë thirrje për reflektim të gjithashëm.

Sicred