KRYEFAQJA » LAJME » Peshëngritje, skandali i dopingut po çon Shqipërinë drejt mosorganizimit të Evropianit të Peshëngritjes
Peshëngritje, zgjidhet komiteti i ri drejtues i FSHP-së

Peshëngritje, skandali i dopingut po çon Shqipërinë drejt mosorganizimit të Evropianit të Peshëngritjes

Skandali më i fundit i dopingut që ka goditur Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, me rezultimin pozitiv të peshëngritëses Romela Begajt gjatë kontrollit për doping në botërorin e Anaheimit, duke çuar në dorëheqjen e Elez Gjozës nga posti i presidentit, po jep pasojat e para.
Pasoja më e dhimbshme është humbja nga ana e Shqipërisë, e të drejtës për të mirëpritur Kampionatin Evropian të Peshëngritjes për Të Rritur, që duhet të mbahej në javën e fundit të marsit në Tiranë.
Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Agron Haxhihyseni, Shqipëria është tërhequr nga organizimi i kësaj veprimtarie. “Ky Evropian nuk mund të zhvillohet pa Elez Gjozën, – ka deklaruar për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar nëpërmjet linjës telefonike numri dy i FSHP-së. Sipas tij “Për vetë aftësitë menaxheriale dhe kontaktet me bizneset mbështetëse të Gjozës, ai ishte i vetmi person që mund ta organizonte këtë Evropian. Me dorëheqjen e tij, ne e shohim të pamundur organizimin e Evropianit në Tiranë” tha Haxhihyseni.
Ndërsa Zv/Ministri i Sportit, Konstandin Shkurti, ka pohuar nëpërmjet linjës telefonike për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar se ka patur një takim konsultativ të hënën me Sekretarin Haxhihyseni dhe Presidentin e Përkohshëm Beqiraj. Zv/Ministri ka theksuar se Ministria respekton pavarsinë e Federatave sportive dhe se do të reagojë përkatësisht mbi çështjen e Evropianit.
Ndërkohë, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka siguruar ekskluzivisht një shkresë të Federatës Evropiane të Peshëngritjes, ku shkruhet se Shqipëria ka hequr dorë nga organizimi i kësaj veprimtarie dhe se organizmi që qeveris shtangën kontinentale po kontakton me vende të tjera për mundësinë e mikpritjes dhe organizimit të këtij Evropiani. “Fatkeqësisht, Komiteti Drejtues i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes ka dhënë dorëheqjen për shkak të problemit të doping-ut dhe FSHP-ja nuk mund ta organizojë Evropianin e të Rriturve në fund të marsit”, – shkruhet në letrën qarkulluese që Bordi Ekzekutiv i Federatës Evropiane të Peshëngritjes ju ka dërguar federatave anëtare.

Sicred