KRYEFAQJA » LAJME » Peshëngritje, Botërori i Anaheimit në SHBA

Peshëngritje, Botërori i Anaheimit në SHBA

Kampionati Botëror i Peshëngritjes për Të Rritur dhe Të Rriturave, që po mbahet në Anaheim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka nisur të martën dhe do të ulë sipari më 5 dhjetor 2017.
Sikundër çdo veprimtari madhore sportive, kombëtare apo ndërkombëtare, edhe ky Kampionati Botëror i Peshëngritjes për Të Rritur do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ndonëse oraret janë paksa të papërshtashme për Shqipërinë.
Në ditën e parë, janë zhvilluar vetëm bateritë B të kategorive të peshave trupore deri në 48 kg për femra dhe 62 kg, ashtu sikundër në ditën e dytë kanë vijuar bateritë B të kategorive të peshave trupore deri në 52 dhe 58 kg për femra.
Ndërsa në gjysmën e dytë të ditës janë zhvilluar bateritë A të kategorive të peshave trupore deri në 48 kg për femra dhe 56 dhe 62 kg për meshkuj, që janë përcjellë përgjatë natës drejtpërdrejt nga transmetuesi publik.
Në 48 kg për femra, kampione e botës u shpall indiania Çanu Saikhom Mirabai, me 194 kg në dygarësh, e ndjekur nga tajlandezja Thunia Sukçaroen, me një kg më pak dhe nga kolumbiania Ana Iris Segura- Segura, me 182 kg.
Në 56 kg për meshkuj, podiumi i pushtua nga aziatiko-juglindorët, pasi vietnamezi Kim Tuan Thaç u shpall kampion i botës me 279 kg, i ndjekur nga bashkëatdhetari i tij, Lë Kuok Toan Tran, me 270 dhe tajlandezi Uituun Mingmun, me 267 kg.
Më interesante ishte beteja në kategorinë e peshës trupore deri në 62 kg, ku 9 medaljet patën fitues të ndryshëm. Në përfundim të kësaj beteje të ethshme, kampion i botës u shpall kolumbiani Francisko Antonio Moskera Valencia, me 300 kg, i ndjekur nga japonezi Joiçi Itokazu, me një kg më pak dhe nga gjeorgjiani Shota Mishvelidze, me dy kg më pak.
Në këtë kampionat botëror Shqipëria po merr pjesë me 5 prej sportistëve të saj më të mirë, ndërsa mungesa e vizës amerikane i ka mohuar vendin në këtë botëror peshëngritësit Daniel Godelli. Kështu, duke gdhirë 1 dhjetori, nga ora 05:00, deri në orën 07:00 të mëngjesit, do të ngjitet në pedanë Evagjeli Veli, që do të garojë në kategorinë e peshës trupore deri në 58 kg femra.

Sicred