KRYEFAQJA » LAJME » Peshëngritja, drejt javëve të turbullta për të ardhmen
Begaj del pozitive edhe në testin e dytë, por betohet: Jam e pafajshme!

Peshëngritja, drejt javëve të turbullta për të ardhmen

Dorëheqja e Elez Gjozës nga posti i presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, por edhe ngjarjet që rodhën më pas, e kanë futur komunitetin e atij që është sporti më i suksesshëm, por edhe më i diskutuar, për të mirë e për të keq, i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, peshëngritjes. Sipas vendimit të shpërndarë për mediat nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes, bëhet e ditur se, “deri në mbledhjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme (domethënë, pas Kampionatit Evropian të Peshëngritjes, që do të mbahet në mars në Tiranë), në postin e Presidentit të FSHP do të jetë Akad. Gudar BEQIRAJ (Zv/president), vendim i marrë në Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore 2016, Vlorë). Në bazë të Statutit të FSHP, Komiteti Drejtues do të bëjë Asamblenë e Jashtëzakonshme pas Kampionatit Evropian.” Megjithatë, duket se ky vendim ka mangësi juridike, për faktin e thjeshtë se posti i Zv/Presidentit është një pozicion që zgjidhet nga anëtarët e Komitetit Drejtues dhe duhet të jetë njëri prej tyre.  Por, në Asamblenë e 2016-ës në Vlorë, Kryesia e re e peshëngritjes përbëhet nga Elez Gjoza, si president, dhe nga anëtarët Sami Pulaku, Adnand Halili, Ilir Topuzi, Asim Belinova, Endri Karina, Nesim Hodaj, Artjon Çaushllari dhe Kreshnik Leka. Me pak fjalë, Gudar Beqiraj, që është presidenti i nderit i peshëngritjes shqiptare, nuk është as anëtar kryesie dhe rrjedhimisht në Vlorë rezulton të mos jetë zgjedhur zëvendëspresidenti. Në Nenin 23 të Statutit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, në pikën “f” qartësohet se “dorëheqja e presidentit çon menjëherë në thirrjen urgjente të Asamblesë së Jashtëzakonshme”. Ndërkohë, pika 3 e Nenit 18, sqaron se “Njoftimi për mbledhjen e Asamblesë të Jashtëzakonshme duhet t’u dërgohet anëtarëve 30 ditë para ditës së zhvillimit të saj.” Të gjitha këto pika të rregullores bëjnë të qartë se, në respekt të Statutit të organizmit që qeveris shtangën në vend, Asambleja e Jashtëzakonshme duhet të zhvillohet patjetër brenda 24 marsit, datë kur do të nisë në Shqipërisë Kampionati Evropian i Peshëngritjes dhe jo pas tij. Për këtë arsye, kjo Asamble e Përgjithshme e Jashtëzakonshme, duhet zhvillohet sa më shpejt të jetë e mundur, me qëllim që t’i jepet presidentit të ri dhe Komitetit të ri Drejtues që do të zgjidhet nga kjo Asamble, kohë e mjaftueshme për organizimin me sukses të kësaj veprimtarie madhore kontinentale. Dhe duket se komuniteti i shtangës po lëviz dhe protesta e së shtunës, ku sportistë dhe trajnerë kërkuan publikisht mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Federatë, pritet të konkretizohet në ditët në vijim. Për më tepër, në Nenin 18 të Statutit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, në pikën 2 thuhet shprehimisht se: “Kur të paktën 1/3 e delegatëve të Asamblesë së FSHP-së bëjnë një kërkesë me shkrim, Komiteti Drejtues është i detyruar të thërrasë një Asamble të Përgjithshme të Jashtëzakonshme, jo më vonë sesa 2 muaj pas marrjes së kërkesës. Nëse Asambleja nuk mbahet, anëtarët që e kërkuan atë mund ta thërrasin mbledhjen vetë, duke ngarkuar një kryetar të përkohshëm me një grup pune.” Të gjitha këto garantojnë për disa javë intensive dhe të ngarkuara për peshëngritjen shqiptare, që po kërkon të dalë nga rrethi vicioz i dopingut, por për të synuar një menaxhim të këtij sporti në përgjithësi.

Sicred