KRYEFAQJA » LAJME » Përvijohet kalendari i shtanges kuqezi, spikat evropiani i Tiranes

Përvijohet kalendari i shtanges kuqezi, spikat evropiani i Tiranes

Pas disa vitesh të njollosura nga skandalet e njëpasnjëshme të dopingut, peshëngritja shqiptare është rikthyer fort në pedanë në 2017-tën, duke rigjetur edhe vendin në podiumin e veprimtarive madhore ndërkombëtare. Shtanga kuqezi e ka mbyllur vitin që lamë pas me 4 medalje të marra në Evropianin e Splitit në Kroaci, nga Erkand Qerimaj, Daniel Godelli dhe Briken Calja, por edhe me 3 mdealje në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes për Të Rinj dhe Nën-23-vjeçarët, që u mbajt në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” në Durrës. Arbër Çerçizi është shpalluar nënkampion i dyfishtë i kontinentit, ndërsa Romario Avdiraj mori medalje bronzi. Qershi mbi tortë ishte Romela Begaj, në 69 kg për femra, e cila ka arritur edhe kulmin e saj, duke u shpallur kampione e botës në shkëputje, e para medalje e artë botërore për të rriturit në historinë e Shqipërisë. Me vendin e 5-të në shtytje, ajo ka siguruar edhe medaljen e argjendtë në dygarësh, duke u shpallur edhe nënkampione e botës. Kësisoj, peshëngritja shqiptare e ka nisur vitin e ri duke publikuar kalendarin e veprimtarive për 2018-ën. Gjithçka nis më 16 shkurt, me Kupën e Shqipërisë për Të Rritur, që do të pasohet nga Turneu Ndërkombetar, që zhvillohet nga data 5, deri më 12 mars dhe nga Kampionati Kombëtar i Të Rinjve, që mbahet më 23 mars 2018. Të gjitha këto janë preludi i Kampionatit Evropian të Peshëngritjes për Të Rritur, që do të mbahet në Tiranë nga 22 marsi, deri më 1 prill të 2018-së. Ky Evropian rikthehet kështu në kryeqytetin shqiptar pas 5 vjetësh, që nga ai i mbajtur në prill të 2013-ës. Një tjetër impenjim madhor i shtangës kuqezi do të jenë Lojërat e 18-ta Mesdhetare, që do të mbahen në 10-ditëshin e fundit të qershorit Tarragona të Spanjës. Veprimtaria e shtatë e peshëngritjes për 2018-ën do të jetë Kampionati Kombëtar për Të Rritur, që do të mbahet më 21 shtator dhe që do të shërbejë si preludi i Kampionati Botëror të Peshëngritjes, që do të mbahet në nëntor dhe që do të ulë siparin e 2018-ës për shtangën shqiptare.

Sicred