KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Përkujtohet 99 vjetori i përfundimit të Luftës së Parë Botërore
Përkujtohet 99 vjetori i përfundimit të Luftës së Parë Botërore

Përkujtohet 99 vjetori i përfundimit të Luftës së Parë Botërore

Në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara është shënuar 99 vjetori i përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Në gjithë Britaninë, miliona njerëz janë ndalur për dy minuta heshtje në orën 11, që paraqet simbolikën e ditës së 11-të dhe muajin e 11-të. Lufta e Parë Botërore ka përfunduar më 11 nëntor të vitit 1918.
Në Paris, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e shënoi përvjetorin duke vendosur kurorë në Harkun e Triumfit, që është vendi i flakës së përjetshme në Varrin e ushtarit të panjohur. Ish-presidentët, Francois Hollande dhe Nicolas Sarkozy, po ashtu, morën pjesë në këtë ceremoni.
Franca, Britania dhe Gjerania nënshkruan armëpushimin më 11 nëntor të vitit 1918, për të përfunduar atë që njihet si Lufta e Madhe, e cila nisi më 28 korrik 1914. Pjesa më e madhe e betejave të Luftës së Parë Botërore janë zhvilluar në Francë dhe Belgjikë. Kjo luftë rezultoi me përfundimin e perandorive ruse, gjermane dhe austro-hungareze. Vlerësohet se së paku 16 milionë njerëz janë vrarë gjatë luftës.
Kjo ditë përputhet me festën e Ditës së Veteranëve në Shtetet e Bashkuara. Presidenti Donald Trump nderoi veteranët e vendit, duke thënë në një videomesazh se ata janë “thesari më i madh kombëtar i këtij vendi”. Komentet e Presidentit u bënë publike, ndërsa ishte në turneun e tij aziatik. Nënpresidenti Mike Pence mori pjesë në një ceremoni ku u vunë kurora në Varrezën Kombëtare të Arlingtonit në jug të Uashingtonit për të nderuar 20 milionë veteranët e ushtrisë.

Sicred