KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Përkujtohet 25 vjetori i rihapjes së pelegrinazhit në Malin e Tomorrit

Përkujtohet 25 vjetori i rihapjes së pelegrinazhit në Malin e Tomorrit

25 vjetori i rihapjes së pelegrinazhit të besimtarëve bektashinj në Malin e Tomorrit, është përkujtuar këtë vit masivisht. Në festën në respekt të Abaz Aliut, një prej figurave më të ndritura të besimit bektashi, ishte i pranishëm edhe presidenti Ilir Meta si dhe shumë ambasadorë të akredituar në Shqipëri.  Ai tha se bektashizmi dhe atdhedashuria janë një dhe të pandara. “Personalisht nuk do ta kisha imagjinuar 25 vite më parë kur bashkë me kryegjyshin e atëhershëm botëror të Bektashinjve, Baba Reshatin erdhëm këtu për të rifilluar një traditë të ndërprerë për gati disa dekada. Atëherë ishin shumë pak njerëz e besimtarë këtu, ndërsa sot, mbrëmë e gjatë këtyre ditëve kanë qënë kaq shumë duke e shndërruar në një nga pelegrinazhet më të njohura dhe më të sukseshëm jo vetëm brenda vendit por dhe në nivel ndërkombëtar. Bektashizmi ka vlera të jashtëzakonshme sa i takon lirisë së besimit” tha zoti Meta.
Në cilësinë e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Baba Mondi bekoi dhe uroi të gjithë besimtarët që i janë bashkuar këtij pelegrinazhi. “Sheshet e kësaj teqeje mbushen kurdoherë me besimtarë që rriten nga viti në vit duke e kthyer këtë vend të shenjtë në një qendër të rëndësishme të faljes, mëshirës dhe afrimit me krijuesin” u shpreh ai.
Në Malin e Tomorit, sipas traditës bektashiane bëhet rituali për të vizituar tyrben, lutjet, ndezja e qirinjve dhe therrja e kurbaneve. Prej disa ditësh mali i Tomorrit i cili konsiderohet i shenjtë është bërë vendqëndrim i shumë pelegrinëve.

Sicred