KRYEFAQJA » LAJME » Përgatitje për zgjedhjet lokale të 2019
Krimi elektoral gjatë zgjedhjeve parlamentare Qershor 2017

Përgatitje për zgjedhjet lokale të 2019

Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore zhvilloi të premten seancën e dytë dëgjimore me përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët prej vitesh monitorojnë proçeset elektorale në Shqipëri. Para deputetëve u paraqiten përfaqësues të disa organizatave që parashtruan vlerësimet e tyre me qëllim përmirësimin e ligjit të ardhshëm të zgjedhjeve. Seanca u drejtua nga bashkëkryetari demokrat i komisionit Oerd Bylykbashi, ndërsa ishin të pranishëm edhe vëzhguesit e OSBE-ODIHR.
Përfaqësuesit e organizatave kërkuan depolitizim të komisionerëve zgjedhorë dhe trajnim të vazhdueshëm për ta. Pati propozime për ndryshimin e ligjit “Për Partitë Politike” në mënyrë që të ulet shkalla e deformimit të realitetit politik.
Propozim tjetër që erdhi nga deputetë të komisionit të Reformës Zgjedhore ishte ndryshimi i sistemit zgjedhor, në mënyrë që sipas tyre parlamenti të mbrohet nga rreziku i pëfshirjes së njerëzve me rekorde kriminale.
Kjo është hera e dytë që komisioni parlamentar zhvillon dëgjesa me organizatat e specializuara në monitorimin e zgjedhjeve, një proces që nga deputetet është konsideruar i nevojshëm për të përgatitur një kod të ri zgjedhor. Ligji i ri i zgjedhjeve që do të dalë nga ky komision parlamentar do të aplikohet në zgjedhjet e ardhshme lokale të vitit 2019.