KRYEFAQJA » LAJME » Përfundon votimi për kreun e PD
Opozita do të vazhdojë aksionin e saj jashtë parlamentit

Përfundon votimi për kreun e PD

Partia Demokratike, më e madhja e opozitës së djathtë në Shqipëri, ka votuar të shtunën për zgjedhjen e kryetarit të ri të saj. Kjo pasi kreu i saj Lulzim Basha, në një veprim mjaftë të debatueshëm brenda partisë, ngriu pozitat e tij pas humbjes në zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit, e konsideruar si humbja më e thellë e PD në historinë e saj. Por zoti Basha shkoi më tej duke rikandiduar sërish për kreun e partisë duke ngjallur mjaftë polemika. Ndërsa përballë tij kandidoi ish kreu i PD në vitet 1992-1995 Eduard Selami, i cili gati u dëbua në atë kohë nga PD pas mosmarrëveshjeve me liderin historik të demokratëve Sali Berisha.
Në zgjedhjet e 22 korrikut u ftuan rreth 104 mijë anëtarë të PD, por në votime shkuan  rreth 60 mijë anëtarë të PD. Disa figura të PD, paralajmëruan bojkotimin e zgjedhjeve për shkak se kundërshtonin qëndrimin e zotit Basha, i cili sipas tyre do të duhej të jepte dorëheqjen dhe të mos kandidonte.
Sipas komisionit të operacioneve elektorale, votimi ka ecur normalisht dhe pa parregullsi. Por kandidati Selami hodhi sërish dyshime mbi procesin, duke e quajtur garën të pabarabartë. Ndërsa për kryetarin e ngrirë të PD-së Basha, procesi është i qetë dhe pa probleme.
Lideri historik i demokratëve Sali Berisha, duke thyer heshtjen disa javore, tha se pavarësisht polemikave dhe vështirësive në të cilat ndodhet partia, procesi i zgjedhjes së kryetarit është  “në përputhje me statutin e PD-së”.
Në selinë e PD kanë filluar të mbërrijnë kutitë e votimeve dhe numurimi do të fillojë rreth orës 24.

Sicred