KRYEFAQJA » LAJME » Përfundon edicioni i dytë i Maratonës së Tiranës

Përfundon edicioni i dytë i Maratonës së Tiranës

Për disa orë rresht banorët e kryeqytetit shqiptar u bënë dëshmitarë të një aktiviteti masiv të atletikës, Maratonës së Tiranës. 2500 vrapues nga vende të ndryshme të botës që u përkisnin grupmoshave të ndryshme morën pjesë në këtë aktivitet i cili zhvillohet për të dytin vit rradhazi në Tiranë, duke premtuar të kthehet në një aktivitet të përvitshëm ndërkombëtar.
Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, i cili ishte jo vetëm organizator i aktivitetit, por edhe pjesmarrës në garë, ndërsa ka uruar atletët dhe tha se dita e sotme do të jetë një ditë feste për të gjithë. “Uroj shumë që ta shijoni maratonën, për ata që janë vizitorë, o nga trevat shqiptare, o nga jashtë, ta shijoni shumë Tiranën. Ne do të kemi aktivitete sot gjatë gjithë ditës, mbasi të mbarojmë garat do të ketë disa festa të ndryshme në qytet. Ju lutem takoni dikë tani që nuk e keni takuar ndonjëherë, gjeni dikë që nuk e njihni, jepini dorën, dhe i thoni, “Mirë se ke ardhur në Tiranë” tha zoti Veliaj.
Pas disa orë vrapimi, garë pas gare dolën edhe fituesit.Në garën e 21 km për femra fituese u shpall atletja e njohur shqiptare Luiza Gega, ndërsa për meshkuj në këtë kategori fitues u shpall Abel Kibet Rop.Në disatncën 10 km, për femra fitoi Olena Popova nga Ukraina, ndërsa për meshkuj Edwin Cheruiyot Melly nga Kenia. Mjaftocionuese ishte dhe gara e personave me aftësi ndryshe, ku i pari doli Bledar Suxha.
Maratona e Tiranës ishte një aktivitet i sjellë drejtëpërdrejtë nga rrjeti i RTSH. Gazetarët dhe regjia e tij sollën jo vetëm garën, por edhe pamje spektakolare të kryeqytetit, i cili prej disa kohësh po ndryshon pamje. Maratona e Tiranës ishte një rast tjetër që RTSH të njoftonte se shqiptarët në mbarë botën mund të ndjekin me cilësi të lartë paketën e rrjetit të RTSH edhe në telefonat inteligjentë. Për këtë ata duhet të instalojnë aplikacionin RTSH TANI i cili gjendet falas në Play Store për pajisjet android dhe tek App Store për pajisjet IOS.

Sicred