KRYEFAQJA » LAJME » Përcillet për në banesën e fundit politikani Dritan Prifti
Përcillet për në banesën e fundit politikani Dritan Prifti

Përcillet për në banesën e fundit politikani Dritan Prifti

Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar u zhvilluan homazhet dhe ju dha lamtumira e fundit ish deputetit dhe ish ministrit Dritan Prifti i cili u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë. Prifti 49 vjeç , i martuar dhe baba i katër fëmijëve, hyri në politikë në fund të viteve ’90, fillimisht si përfaqësues i PS e më vonë i LSI. Ai është zgjedhur deputet në Kuvendin e Shqipërisë nga viti 2001 deri në vitin 2013, ndërsa nga viti 2009 deri në 2010 mbajti edhe postin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë.
Dritan Prifti do të mbahet mend për polemikat e forta me ish kreun e PS dhe ish kryeministrin Fatos Nano, por edhe me ish kreun e LSI Ilir Meta. Marrëdhëniet mes tyre, dikur mjaftë miqësore, u përkeqësuan ndjeshëm pasi zoti Prifti publikoi një video të fshehtë, sipas të cilës zoti Meta i kërkonte atij favore si ministër. Ngjarja solli pështjellime në jetën politike, pasi zoti Meta u largua nga posti i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të jashtëm në qeverinë e djathtë të kryeministrit Berisha, dhe shkoi në gjykatë ku doli i pafajshëm.
Nga ana e saj opozita e majtë organizoi me këtë rast protestën e 21 janarit e cila do të mbahet mend për vrasjen e katër simpatizantëve të saj para selisë së qeverisë së kryeministrit Berisha, i cili tha se ngjarja ishte një grusht shteti.
Parlamenti shqiptar mbajti të enjten 1 minutë heshtje në kujtim të zotit Prifti, por kryeministri Rama gjatë fjalës së tij të premten, ndërsa i kujtoi zoti Basha ngjarjen e 21 janarit si dhe shpërthimin e Gërdecit, tha se qeveria po paguan të paktën 10 milionë euro dëme.

Sicred