KRYEFAQJA » LAJME » “Përballë”- Drejtësia në udhëkryq

“Përballë”- Drejtësia në udhëkryq

Ministrja e drejtësisë Etilda Gjonaj deklaroi në emisionin Përballë të gazetarit Lutfi Dervishi se gjyqtarët në KLD bëhen pengesë për proçedimet ndaj gjyqtarëve në shkelje të ligjit. Duke ju referuar rrëzimit të 4 propozimeve të fundit të saj në KLD, znj. Gjonaj tha se kjo është dëshmi e mosfunksionimit të insitucioneve të vjetra të drejtësisë, ndërsa vlerësoi edhe votën pro të presidentit të republikës. “Është vendim në bllok të anëtarëve gjyqtarëve të Këshillit të lartë të drejtësisë. Në mënyrë të vazhdueshme nuk është hera e parë që Këshilli i Lartë i Drejtësisë e dha provën që nuk arrin dot dhe nuk është një sistem efektiv për të qënë përllogaridhënës”. Institucionet e vjetra të drejtësisë janë drejt rënies, por të rejat nuk duken në horizont. Për këtë ministrja e drejtësisë fajëson opozitën. “Nëse ligjet nuk do të ishin kundërshtuar në gjykatë jo një herë po dy herë dhe nëse opozita do të kishte treguar vullnetin e saj duke u shprehur dhe duke miratuar komisionerët për komisionet e vettingut dhe nuk do të kishte ngritur çadren në bulevard për muaj të tërë të jeni të sigurt që afatet do të ishin respektuar”. Ministrja e Drejtësisë paralajmëroi edhe ndryshime ligjore që do të zgjidhnin ngërçin e krijuar në shkollën e magjistratures.  “Të bëhet një ndërhyrje ose në ligjin e statusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve ose në ligjin e qeverisjes për organet e drejtësisë me qëllim që shkolla e Magjistratures të ketë të zhbllokuar hyrjen e të rinjve dhe e dyta emërimin e atyre që mbarojnë shkollën e Magjistratures sot”. Shkarkimet përmes proçesit të vettingut dhe tejkalimi i afateve për ngritjen e institucioneve të reja e kanë nxjerrë jashtë funksionit gjykatën kushtetuese. Kjo situatë sipas ministres Gjonaj është e përkohshme. “Ne shpresojmë shumë që nëse 57 anëtarë subjekt të rivlerësimit prioritar përfundojnë deri nga mesi i qershorit atehërë presupozohet që deri në fund të vitit të kemi të ngritur organet e reja të sistemit të drejtësisë”. Ndonëse reforma në drejtësi duhet t’i shërbeje qytetarëve. Në këtë fazë janë pikërisht qytetarët që po paguajnë kostot e një operacioni të vështirë. Sot vendi është pa gjykatë kushtetuese, ndërsa e njëjta situatë mund të përsëritet edhe me gjykatën e lartë, ku flenë mbi 22 mijë dosje.

Sicred