KRYEFAQJA » LAJME » Peleshi: Ushtria dhe shërbimet inteligjente do të angazhohen kundër kanabisit

Peleshi: Ushtria dhe shërbimet inteligjente do të angazhohen kundër kanabisit

Ushtria dhe shërbimet inteligjente do të përfshihen në krah të policisë, pushtetit vendor dhe ekspertëve të fushave të tjera, në një operacion të gjerë dhe të kombinuar kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit në vend. Kjo në kuadër të një plani kombëtar, përfundimi i hartimit të të cilit u njoftua sot nga zëvëndëskryeministri Niko Peleshi. “Në shërbim të këtij operacioni në përbërje të taskforcës qëndrore dhe të taskforcave lokale do të jenë kapacitetet e policisë së shtetit, të shërbimeve inteligjente, të ushtrisë, të bujqësisë, të mjedisit, të shëndetësisë, të pushtetit vendor, partnerët tanë ndërkombëtarë.Ky vit është në objektivin e planit të jetë viti me nje kulminacion pozitiv në frenimin apo reduktimin e kultivimin e kanabisit në vendin tonë” tha Peleshi.

Sipas Peleshit, plani parashikon edhe marrjen e masave ndaj zyrtarëve qëndorë dhe atyre lokalë të cilët nuk arrijnë të mbajnë nën kontroll administrativ territoret për të cilat janë përgjegjës. Proçesi i zbatimit të planit do të shoqërohet edhe me vlerësimin e figurës së zyrtarëve përgjegjës në këtë fushë. Një kriter i rëndësishëm për vlerësimin e shkallës së suksesit së këtij operacioni, sipas Peleshit, do të jetë identifikimi dhe sekuestrimi i aseteve të krijuara nga aktivitetet kriminale. Për situatën aktuale të kultivimit dhe trafikimit të kësaj lënde bimë narkotike, zëvëndëskryeministri Peleshi fajësoi modelin e Lazaratit, i cili u tolerua dhe u mbështet politikisht nga qeveria paraardhëse. Peleshi tha se “ modeli negativ i krijuar në Lazarat ndikoi shumë jo vetëm në fuqizimin e shumanshëm të grupeve dhe rrjeteve kriminale por edhe në inkurajimin e kultivimit e kanabisit në rajonet e tjera të vendit. Goditja e suksesshme kundër grupeve dhe rrjeteve kriminale në Lazarat në vitin 2014 solli si pasojë që energjitë kriminale të përqëndruara në këtë rajon të shpërndahen në drejtime të tjera të vendit” .

Plani do të fokusohet edhe në ndërgjegjësimin publik, mbështetjen e ekonomisë së ligjshme në zonat e prekura, lehtësimin e barrës fiskale dhe mbështjetjes sociale për individët dhe komunitetet në risk .

Sicred