KRYEFAQJA » LAJME » Pejiç – makina e golave
Pejiç - makina e golave

Pejiç – makina e golave

Historia e golashënuesve të Kampionatit Kombëtar të Futbollit përfshin disa emra mbresëlënës. Dhe në 10-shen e parë të tyre është edhe një huaj. Pero Pejiç është tashmë 35 vjeç dhe në vitin e tij të 10-të të tij në Shqipëri, me ndonjë ndërprejre të shkurtër, është shndërruar padyshim në një nga lojtarët më të spikatur të 17 viteve të para të këtij mijëvjeçari.
Që nga ai gol i parë më 28 prilli të vitit 2007, ku skuadra e tij e parë shqiptare, Dinamo, mundej 1-2 në derbin me Tiranën, kroati nuk ka rreshtur së shënuari. 6 gola në 13 ndeshje në atë gjysmësezon në vend të 5-të me Dinamon, janë preludi i 18 golave në 31 ndeshje në sezonin 2007-2008, që u mbyll me kurorën e kampionit me blutë kryeqytetas.
Pejiç do të rikthehet në verë të 2010-tës në Shqipëri, këtë radhë me fanellën e Tiranës, duke shënuar 16 gola në 36 ndeshje me bardheblutë dhe duke fituar Kupën e Shqipërisë.
Pas një mungese të shkurtër, rikthehet në sezonin 2012-2012 me Flamurtarin, për të cilin realizon 15 gola në 23 takime.
Nga Vlora, ai zhvendoset për dy sezone në Korçë, ku ka kulmin e vet. Ai fiton dy herë kampionatin, si dhe një herë Superkupën e Shqipërisë, duke shënuar në total plot 40 gola në 68 ndeshje me Skënderbeun.
Kalon më pas në Kukës, në sezonin 2014-2015 dhe 2015-2016, duke shënuar 38 gola në 45 ndeshje, përfshi 31 gola të realizuar brenda një sezoni të vetëm, dhe duke fituar edhe Superkupën në 2016-n. Rikthimi i tij tek Kukësi këtë sezon nuk ka qenë më pak produktiv, pasi kroati, edhe pse tanimë 35 vjeç, mbetet po aq i vendosur, duke shënuar plot 22 herë në 25 ndeshje dhe duke e mbajtur Kukësin në betejën për titull. Pas Dinamos në Shqipërinë e Mesme dhe Skënderbeut në atë Juglindore, golashënuesi kroat duket se po kërkon ta shijojë titullin edhe në verilindje.
Megjithatë, kur gjithçka do të sqarohet pas 5 javësh, ajo që mbetet e sigurt është se Pero Pejiç mbetet një makinë golash.

Sicred